Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në edicionin e parë të “Albanian Festival”, të organizuar në Staten Island të New York-ut, në një aktivitet që mblodhi së bashku komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Festivali u shoqërua me muzikë, ushqime dhe tradita shqiptare, duke krijuar një hapësirë ku u bashkuan gjenerata të ndryshme të komunitetit shqiptar në Amerikë.
Në fjalën e tij, Kurti vuri theksin te ruajtja e identitetit dhe e gjuhës shqipe në diasporë, duke theksuar se integrimi në shoqërinë amerikane nuk nënkupton humbjen e identitetit shqiptar.
“Ta duash Amerikën dhe njëkohësisht ta duash fort vendin prej nga vjen familja jote” është një prej mesazheve të përcjella në këtë aktivitet, ndërsa ruajtja e gjuhës shqipe u cilësua si një përgjegjësi e rëndësishme ndaj brezave të ardhshëm.
Gjatë aktivitetit u vu në pah edhe roli i komunitetit shqiptar në jetën e New York-ut, ku familjet shqiptare kanë krijuar një prani të qëndrueshme ndër breza dhe janë angazhuar në fusha të ndryshme, përfshirë biznesin, mjekësinë, teknologjinë, arsimin, administratën dhe shërbimin publik.
Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara për Kosovën, duke e përshkruar atë si një urë lidhëse mes Kosovës dhe Amerikës dhe si një komunitet që ndër vite ka dhënë mbështetje të rëndësishme për vendin./kudoshqip.com

















