Shqip kudo që je!

Me 91 vota për, Kuvendi miraton në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Specialen

Me 91 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Projektligji u votua në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, pasi paraprakisht ishte miratuar në parim edhe nga Komisioni për Legjislacion, i cili e kishte përkrahur unanimisht. Assembly of Kosovo
Nisma për ndryshimin e ligjit është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Ndryshimet e propozuara prekin disa çështje që lidhen me funksionimin dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që raste të caktuara jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë.

Projektligji parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, si dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.

Një tjetër dispozitë e propozuar lidhet me mundësinë që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.
PDK-ja ka argumentuar se ndryshimet synojnë rritjen e mbikëqyrjes dhe llogaridhënies ndaj punës së Dhomave të Specializuara, duke theksuar se nisma nuk synon shpërbërjen e tyre.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës më 2 tetor kishte konstatuar se nuk kishte pengesa ligjore për procedimin e projektligjit. Kuvendi më herët gjatë seancës kishte miratuar edhe shmangien e procedurave të rregullta për shqyrtimin e tij.

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus