Shqip kudo që je!

Bizneset shqiptare dhe gjermane në një tryezë: Synohen investime dhe partneritete të reja

Bizneset shqiptare dhe gjermane në një tryezë: Synohen investime dhe partneritete të reja - Bizneset shqiptare gjermanenënjëtryezëSynoheninvestimedhepartneritetetëreja

Qindra përfaqësues të bizneseve shqiptare dhe gjermane u mblodhën mbrëmë në qytetin e Kehlit, në një aktivitet të dedikuar forcimit të bashkëpunimit ekonomik, investimeve dhe krijimit të lidhjeve të reja mes diasporës shqiptare dhe ekonomisë gjermane.

Takimi u organizua nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, nën drejtimin e kryetarit të Unionit, Zenun Krasniqi, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, kryetari i Bashkisë së Kehlit, Wolfram Britz, si dhe qindra sipërmarrës.

Sipas organizatorëve, aktiviteti mblodhi rreth 420 biznese, pjesa më e madhe e të cilave janë në pronësi të shqiptarëve, por në takim morën pjesë edhe kompani gjermane dhe biznese të themeluara nga sipërmarrës me prejardhje të ndryshme.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik, investimeve dhe krijimit të partneriteteve të reja mes bizneseve shqiptare dhe gjermane. Kryetari i Unionit, Zenun Krasniqi, u bëri thirrje bizneseve që të shfrytëzojnë potencialin e rrjetit të krijuar dhe të rrisin bashkëpunimin ndërmjet tyre.

Ministrja Mimoza Kusari-Lila vlerësoi kontributin e diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik dhe prezantoi masat që, sipas saj, institucionet e Kosovës po ndërmarrin për të forcuar lidhjet ekonomike me mërgatën dhe për të krijuar më shumë mundësi për investime.

Në aktivitet ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, i cili përmes një postimi në Facebook e cilësoi takimin si dëshmi të potencialit që krijohet kur bizneset e diasporës bashkohen dhe bashkëpunojnë.

Ajeti theksoi se Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane përfaqëson një shembull të rrjetëzimit të komunitetit të biznesit dhe një mundësi për krijimin e lidhjeve të reja mes Kosovës, Gjermanisë dhe tregut evropian.

Pjesë e veçantë e mbrëmjes ishte edhe programi artistik. Aktiviteti u shoqërua me muzikë shqiptare, ndërsa interpretimin e bëri mezzosopranoja shqiptare Flaka Goranci.

Takime të tilla synojnë të krijojnë hapësira të reja për kontakte mes sipërmarrësve, shkëmbim përvojash dhe zhvillim të partneriteteve ekonomike, duke e vendosur diasporën shqiptare në një rol lidhës mes tregut gjerman dhe atij kosovar./kudoshqip.com

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus