Gjermania po përballet me presion serioz ekonomik për shkak të zgjerimit agresiv të eksporteve kineze, ndërsa vala e re e konkurrencës nga Kina po godet veçanërisht sektorët kyç industrialë si industria automobilistike, kimike dhe ajo e makinerive.
Për këtë paralajmëron një studim i ri i think tank-ut londinez Centre for European Reform, për të cilin shkruan Handelsblatt.
Autorët e studimit, Sander Tordoir dhe Brad Setser, pretendojnë se Gjermania është bërë “epiqendra e goditjes së dytë kineze”, ku kompanitë kineze po marrin me shpejtësi pjesë tregu nga prodhuesit gjermanë – jo vetëm në Kinë, por edhe në tregun evropian dhe pjesën tjetër të botës.
BE-ja ashpërson rregullat për shkak të çelikut kinez
Parlamenti Evropian të martën ashpërsoi më tej rregullat për importin e çelikut për të mbrojtur industrinë evropiane nga çeliku i lirë kinez. Sasitë e çelikut që mund të hyjnë në BE pa tarifa doganore pothuajse janë përgjysmuar – në 18.3 milionë tonë në vit.
“Dëmi ekonomik po rritet gjithnjë e më shumë”
Autorët e studimit theksojnë se Gjermania po i diagnostikon gabimisht problemet e veta. Sipas analizës së tyre, shkaku kryesor i krizës industriale nuk janë burokracia apo kostot e larta të energjisë, por strategjia ekonomike kineze dhe rritja e madhe e eksporteve.
“Berlini nuk po mbrohet, megjithëse ky shok po minon sigurinë ekonomike të vendit në sektorët kyç”, thuhet në studim.
Prodhimi industrial gjerman ka vite që po bie dhe tani është rreth gjashtë për qind më i ulët se para pandemisë së Covid-it. Veçanërisht të goditura janë industritë që janë drejtpërdrejt të ekspozuara ndaj konkurrencës kineze. Eksporti drejt Kinës gjithashtu po shënon rënie, ndërsa autorët vlerësojnë se efekti negativ i zvogëlimit të eksporteve neto ka arritur rreth tre për qind të BPV-së gjermane.
Eksporti kinez po rritet me një ritëm të jashtëzakonshëm. Sipas të dhënave të studimit, eksporti kinez në tremujorin e parë të këtij viti është rritur rreth 15 për qind më shpejt sesa tregtia globale.
Autorët pretendojnë se kompanitë kineze nuk janë të suksesshme vetëm për shkak të përparimit teknologjik, por edhe për shkak të mbështetjes së fortë shtetërore. Kompanitë marrin subvencione, kredi të favorshme dhe toka të lira, gjë që u mundëson prodhim me kosto dukshëm më të ulëta.
Për më tepër, valuta kineze renminbi, sipas vlerësimeve të International Monetary Fund, është artificialisht e nënvlerësuar me të paktën 16 për qind, ndërsa disa ekonomistë mendojnë se diferenca arrin deri në 30 për qind. Kjo i bën produktet kineze edhe më konkurruese në tregun botëror.
Industria automobilistike nën presionin më të madh
Ndryshime veçanërisht dramatike po ndodhin në industrinë automobilistike. Kina tashmë vitin e kaluar, sipas disa vlerësimeve, arriti eksportin prej dhjetë milionë automjetesh në vit – një shifër që më parë ishte parashikuar të arrihej vetëm në vitin 2030.
Në të njëjtën kohë, Kina disponon kapacitete për prodhimin e deri në 55 milionë automjeteve në vit, prej të cilave të paktën 25 milionë janë automjete elektrike.
Meqenëse Kina pothuajse nuk importon automjete elektrike, konkurrenca tani zhvillohet në tregjet jashtë Kinës, dhe barrën më të madhe të kësaj po e ndien pikërisht industria automobilistike gjermane.
Gjermania tashmë ka humbur qindra mijëra vende pune
Studimi vlerëson se Gjermania, për shkak të rritjes së eksporteve kineze, tashmë ka humbur rreth 400 mijë vende pune. Autorët paralajmërojnë se zhdukja shumë e shpejtë e industrisë mund të çojë në deindustrializim, përkatësisht humbje të përhershme të njohurive dhe kapaciteteve prodhuese pa zëvendësim adekuat.
Përveç pasojave ekonomike, po rritet edhe rreziku politik, pasi varësia e madhe nga Kina shton mundësinë e presionit politik kinez ndaj Gjermanisë dhe Evropës.
Ekonomistët konsiderojnë se vetëm deregulimi dhe zvogëlimi i burokracisë nuk do të jenë të mjaftueshme për shpëtimin e ekonomisë gjermane. Ata paralajmërojnë se Gjermania duhet të mbështesë më aktivisht masat mbrojtëse evropiane kundër politikës tregtare kineze.

















