Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në kantonin Graubünden të Zvicrës, në rrugën ndërmjet Zernez dhe Susch.
Sipas informacioneve të para, një autobus turistik i një kompanie holandeze, me 48 persona në bord, është përfshirë në një aksident të rëndë. Ngjarja ka shkaktuar viktima dhe një numër të madh të personave të lënduar, ndërsa shifrat e sakta ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht.
Në vendngjarje janë mobilizuar forca të shumta të policisë, ekipe të emergjencës dhe shërbimeve të shpëtimit. Në operacionin e shpëtimit janë përfshirë edhe disa helikopterë.
Personat me lëndime më të lehta janë trajtuar në vendngjarje, ndërsa të lënduarit e tjerë janë transportuar në spitale për trajtim mjekësor.
Kompania holandeze ka konfirmuar se në autobus ndodheshin 48 udhëtarë dhe ka bërë të ditur se është në kontakt me familjarët e tyre.
Autoritetet zvicerane pritet të japin më shumë detaje lidhur me numrin e viktimave dhe të lënduarve, identitetin e tyre, si dhe shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik./kudoshqip.com

















