Shqip kudo që je!

Miliarderi shqiptar pranë blerjes së dy qendrave tregtare në Gjermani

Biznesmeni shqiptar Samir Mane dhe Balfin Group po zgjerojnë praninë në tregun gjerman të pasurive të paluajtshme. Pas marrëveshjes për ish-dyqanin Tietz në Mynih, grupi shqiptar raportohet se është pranë blerjes së dyqaneve të tjera të Galeria-s, të dala në shitje pas rënies së perandorisë së René Benkos.

Sipas raportimeve të Immobilien Zeitung, pas blerjes së pritshme të ndërtesës historike Tietz në Mynih, Balfin po shqyrton dhe po avancon drejt blerjes së dy qendrave të tjera tregtare Galeria, njëra në Hannover dhe tjetra në Bonn.
Lëvizja do të përbënte një zgjerim të rëndësishëm të aktivitetit të Balfin në Gjermani dhe do ta vendoste grupin shqiptar në qendër të procesit të ristrukturimit të disa prej pronave më të njohura të ish-perandorisë së René Benkos.

Nga Mynihu te Hannoveri dhe Bonni

Më herët, Balfin Group u raportua si blerësi potencial i ish-dyqanit Hertie/Karstadt, i njohur si Tietz-Haus, pranë stacionit qendror të Mynihut. Ndërtesa historike, e përfunduar në vitin 1905 dhe e mbrojtur si monument, ka kaluar ndër vite nga Hertie te Karstadt dhe më pas te Galeria. Filiali u mbyll në verën e vitit 2023 dhe godina mbeti bosh.

Sipas raportimeve, çmimi i pritshëm i blerjes nga Balfin ishte rreth 110–120 milionë euro. Tani, sipas Immobilien Zeitung, grupi shqiptar po synon edhe dy prona të tjera të lidhura me Galeria-n në Hannover dhe Bonn. Kjo do të thotë se interesi i Manes në Gjermani nuk duket të jetë një investim i izoluar, por pjesë e një strategjie më të gjerë për hyrjen në tregun gjerman.

Çfarë po ndodh me pronat e Signa-s?

Pronat janë pjesë e aseteve që dolën në treg pas kolapsit të grupit Signa, të themeluar nga biznesmeni austriak René Benko. Falimentimi i Signa-s solli në shitje një numër të madh pronash dhe projektesh të rëndësishme në Gjermani dhe vende të tjera europiane.
Në rastin e Tietz-Haus në Mynih, administratori i falimentimit kishte kërkuar prej më shumë se dy vitesh një blerës. Një negociatë e mëparshme me sipërmarrësin bavarez Erich Schëaiger, ku ishte diskutuar një çmim prej rreth 127.5 milionë eurosh, nuk përfundoi me marrëveshje.
Më pas në garë hyri Balfin Group.

Çfarë planifikon Mane për pronën në Mynih?

Për ndërtesën historike pranë Hauptbahnhof-it, autoritetet e Mynihut kanë dhënë sinjale pozitive për një projekt të ri zhvillimi. Plani parashikon dyqane dhe ambiente gastronomike në katet e poshtme, zyra në katet e sipërme dhe një bar publik në çati. Ndërtesa është aktualisht pjesërisht e çmontuar nga brenda, ndërsa fasada është e mbuluar përkohësisht.

Financimi i marrëveshjes së Mynihut është lidhur në raportime me Raiffeisen Bank International, e cila ishte gjithashtu një prej kreditorëve kryesorë të Signa-s për këtë pronë. Banka nuk ka komentuar për shkak të konfidencialitetit bankar.

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus