Kancelari gjerman dhe kreu i CDU-së, Friedrich Merz, nuk do të japë dorëheqje, pavarësisht rezultateve të dobëta të partisë së tij në zgjedhjet e zhvilluara në Berlin dhe Mecklenburg-Vorpommern.
Pas publikimit të rezultateve, Merz e cilësoi rezultatin si një “desaster”, duke pranuar se CDU-ja pësoi humbje të rënda. Në Mecklenburg-Vorpommern, sipas exit-polleve, CDU-ja mori vetëm rreth 5–5.5 për qind të votave, ndërsa në Berlin rreth 20 për qind.
Megjithatë, Merz bëri të qartë se nuk planifikon të largohet nga posti i kancelarit dhe as nga drejtimi i CDU-së. Ai deklaroi se do të vazhdojë të zbatojë reformat e planifikuara dhe të ndjekë kursin politik të qeverisë.
Humbjet e fundit vijnë pas rezultatit të dobët të CDU-së në Sachsen-Anhalt dhe kanë shtuar presionin e brendshëm ndaj Merzit. Për momentin, ai vazhdon të ketë mbështetje nga figura të rëndësishme të partisë, ndërsa drejtuesit e CDU-së pritet të diskutojnë rezultatet dhe pasojat politike në ditët në vijim.
Debati për të ardhmen politike të Merzit dhe drejtimin e CDU-së pritet të intensifikohet pas këtyre rezultateve./kudoshqip.com

















