Gjermania ka mbyllur Konsullatën e Përgjithshme të Rusisë në Bonn, duke i dhënë një tjetër goditje marrëdhënieve tashmë të tensionuara mes Berlinit dhe Moskës.
Flamuri rus është ulur nga ndërtesa, ndërsa personeli është larguar nga konsullata. Me këtë vendim, mbyllet edhe konsullata e fundit ruse që kishte mbetur funksionale në Gjermani.
Masa e Berlinit lidhet me zhvillimet e fundit rreth dronëve rusë të zbuluar në aeroportin e Leipzigut më 4 gusht. Gjermania e ka konsideruar reagimin e saj si pjesë të kundërmasave ndaj veprimeve të Rusisë.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka deklaruar se Berlini do të reagojë me vendosmëri ndaj provokimeve dhe sulmeve, por ka theksuar se Gjermania mbetet e hapur për dialog.
Rreth tre javë më parë, qeveria gjermane kishte paralajmëruar masa ndaj Rusisë, ndërsa në kuadër të tyre ishte përfshirë edhe mbyllja e Konsullatës së Përgjithshme në Bonn dhe e Shtëpisë Ruse në Berlin.
Sipas Wadephul, mbyllja e konsullatës përbën “një reagim të ashpër”, pasi kufizon ndjeshëm mundësitë e Rusisë për të ushtruar aktivitetet e saj përmes strukturave diplomatike në Gjermani.
Edhe Rusia është kundërpërgjigjur me masa ndaj institucioneve gjermane në territorin rus.
Tash për tash, përplasja diplomatike mes dy vendeve vazhdon, ndërsa mbetet e hapur pyetja nëse tensionet do të përshkallëzohen edhe më tej./kudoshqip.com

















