MYNIH – Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në rrugën “Landsberger Straße” në Mynih, ku një autoveturë është përplasur fuqishëm nga një tramvaj dhe është tërhequr zvarrë për disa metra përgjatë shinave.
Sipas të dhënave zyrtare nga policia lokale, ngjarja ka ndodhur drejtpërdrejt përballë daljes së punishtes së njohur të birrës “Augustiner”. Një automjet i llojit Hyundai, në të cilin udhëtonte një familje me katër anëtarë nga rajoni i Bad Tölz, po lëvizte në të njëjtin drejtim me tramvajin, drejt urës Donnersbergerbrücke.
Aksidenti u shkaktua pasi drejtuesja e mjetit tentoi të bënte një kthesë të ndaluar (U-turn), duke i prerë rrugën tramvajit që po vinte paralelisht.
Si pasojë e përplasjes, ana e shoferit është shkatërruar pothuajse plotësisht. Ekipeve të zjarrfikësve iu desh të përdornin pajisje të rënda hidraulike për të prerë çatinë e mjetit, në mënyrë që t’u krijonin hapësirë mjekëve për t’u dhënë ndihmën e shpejtë të aksidentuarve.
Në makinë udhëtonin:
Drejtuesja e mjetit, 42 vjeç
Bashkëudhëtari, 46 vjeç
Dy fëmijët e tyre, të mosshës 12 dhe 9 vjeç
Drejtuesja 42-vjeçare u transportua me urgjencë në spital, ndërsa fëmija 9-vjeçar pësoi një plagë në kokë. Sipas vlerësimit të parë të ekipeve të shpëtimit, për fat të mirë asnjë prej tyre nuk është në rrezik për jetën. Nga përplasja kanë pësuar lëndime të lehta edhe dy pasagjerë që udhëtonin brenda në tramvaj.
Përplasja shkaktoi bllokim të plotë të segmentit rrugor dhe pezullim të përkohshëm të linjave të tramvajit për disa orë. Pas përfundimit të këqyrjes së vendngjarjes nga ekspertt e policisë dhe pastrimit të rrugës nga zjarrfikësit, qarkullimi i automjeteve i është rikthyer normalitetit.
Marrë nga: www.tz.de

















