I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, Albinot Bimbashi, ka zhvilluar një takim zyrtar me Ambasadorin Dr. Martin Eichtinger, Drejtor i Akademisë Diplomatike të Vjenës.
Gjatë këtij takimi u vlerësua lart bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Ambasadës së Kosovës dhe Akademisë Diplomatike të Vjenës, një institucion me reputacion ndërkombëtar, i njohur për rolin e tij në përgatitjen e gjeneratave të reja të diplomatëve dhe liderëve nga mbarë bota.
Biseda u përqendrua gjithashtu në mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, me theks të veçantë në zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fushën e diplomacisë dhe dialogut ndërkombëtar.
Në përmbyllje të takimit, Bimbashi shprehu mirënjohjen e tij për pritjen dhe diskutimin konstruktiv, duke vlerësuar kontributin e Akademisë Diplomatike të Vjenës si dhe mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Austrisë i ka dhënë dhe vijon t’i japë Republikës së Kosovës./kudoshqip.com

















