Një zjarr i fuqishëm që shpërtheu gjatë natës në zonën e Lokva Rogoznicës, në Kroaci, është përhapur me shpejtësi në drejtim të Omišit, duke rrezikuar banesa dhe zona të banuara.
Flakët janë përhapur përgjatë zonës nga Ruskameni drejt Omishit, ndërsa erërat e forta kanë vështirësuar ndjeshëm punën e ekipeve zjarrfikëse. Pamjet nga terreni tregojnë një situatë dramatike, me flakët që kanë përfshirë automjete, banesa dhe varka.
Sipas informacioneve paraprake dhe ende të pakonfirmuara, rreth dhjetë persona kanë pësuar lëndime, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Disa shtëpi janë përfshirë nga zjarri, ndërsa autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur një bilanc përfundimtar të dëmeve.
Për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve, banorë nga Lokva Rogoznica janë evakuuar dhe janë dërguar në një qendër pritjeje të ngritur në palestrën sportive të Omishit.
Në qendrën e pritjes ndodhen rreth 1.000 persona, për të cilët janë siguruar shtretër, ushqim dhe ujë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve dhe turistëve që të largohen nga zonat e rrezikuara dhe të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës.
Ndërkohë, zjarrfikësit po vazhdojnë luftën me flakët në kushte të vështira, ndërsa përmasat e zjarrit dhe dëmet e shkaktuara pritet të bëhen më të qarta pas stabilizimit të situatës.

















