Një grua ka humbur jetën pas një sulmi me thikë të ndodhur të mërkurën në një supermarket të rrjetit Lidl në qytetin Ratzeburg, në landin Schleswig-Holstein, Gjermani.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, sulmi ndodhi në zonën pranë arkave, ku gruaja dyshohet se u godit me thikë. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës, ajo nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
I dyshuari, një 44-vjeçar me shtetësi gjermane, mbeti gjithashtu i plagosur rëndë dhe u dërgua në spital për trajtim mjekësor.
Në momentin e ngjarjes, dy persona që ndodheshin në supermarket ndërhynë për ta ndaluar të dyshuarin. Sipas dëshmisë së njërit prej tyre, ai dhe një person tjetër arritën ta rrëzonin dhe ta mbanin të dyshuarin në tokë deri në ndërhyrjen e autoriteteve.
Dëshmitari ka deklaruar gjithashtu se, bazuar në atë që pa gjatë incidentit, nuk kishte krijuar përshtypjen se viktima dhe i dyshuari njiheshin më parë.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të sulmit. Për momentin, motivi mbetet i paqartë./kudoshqip.com

















