Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen në postin e kryeministrit të Kosovës, duke shprehur shpresën për funksionalizimin e shpejtë të të gjitha institucioneve të vendit.
Në një letër drejtuar Kurtit, Merz ka theksuar rëndësinë e tejkalimit të pasigurisë politike, e cila, sipas tij, i ka shkaktuar kosto të larta Kosovës gjatë muajve të fundit.
“Ju përgëzoj përzemërsisht për rizgjedhjen Tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës. Kosova ka lënë pas muaj të tërë të pasigurisë politike, e cila i ka imponuar vendit kosto të larta. Konfirmimi i zgjedhjes Tuaj ofron mundësinë e ndërtimit të urave përtej prizmit partiak, zgjidhjes së çështjeve të hapura institucionale dhe avancimit të reformave”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.
Merz ka rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën, duke vënë në pah lidhjet e veçanta të miqësisë ndërmjet dy vendeve dhe popullit gjerman e atij kosovar.
“Gjermania qëndron fuqishëm përkrah Kosovës”, ka theksuar kancelari gjerman në mesazhin e tij.
Urimi i Merz vjen në një moment të rëndësishëm për institucionet e Kosovës, me pritshmëritë për stabilitet politik, funksionalizim institucional dhe përparim të reformave./kudoshqip.com

















