Më 1 tetor hyn në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, duke hapur mundësi të reja për rritjen e eksporteve, investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik.
Marrëveshja përfshin Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën – tregje me fuqi të lartë blerëse dhe potencial të konsiderueshëm për produktet dhe shërbimet kosovare.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), gjatë vitit 2025 Kosova eksportoi mbi 100.4 milionë euro mallra në vendet e EFTA-s, ndërsa importet arritën në rreth 53 milionë euro. Kjo rezultoi me një bilanc pozitiv tregtar prej rreth 47.4 milionë eurosh në favor të Kosovës.
Zvicra mbetet tregu kryesor për eksportet kosovare brenda EFTA-s. Nga totali i eksporteve, rreth 99.4 milionë euro u destinuan drejt këtij vendi.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se këto shifra dëshmojnë se potenciali për zgjerimin e pranisë së produkteve kosovare në tregjet e EFTA-s tashmë ekziston.
Përveç tregtisë së mallrave, marrëveshja sjell mundësi të zgjeruara edhe në sektorin e shërbimeve. Ajo përfshin fusha si teknologjia e informacionit dhe komunikimit, shërbimet profesionale dhe biznesore, transporti dhe ndërtimi.
Në kuadër të përgatitjeve për hyrjen në fuqi të marrëveshjes, MINTI ka organizuar një sesion informues me përfaqësues të komunitetit të biznesit, me qëllim që kompanitë kosovare të njihen më nga afër me mundësitë dhe kërkesat që sjell marrëveshja.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne Lise Cattin Hennin, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.
Institucionet vlerësuan se bashkëpunimi ndërmjet tyre dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me bizneset janë të rëndësishëm për shfrytëzimin konkret të mundësive që ofron marrëveshja.
Me hyrjen në fuqi më 1 tetor, synimi është që kompanitë kosovare të rrisin eksportet, të krijojnë partneritete të reja dhe të forcojnë praninë e produkteve dhe shërbimeve “Made in Kosova” në tregjet e EFTA-s./kudoshqip.com

















