Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në New York me kongresistin amerikan Joe Wilson, bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së dhe anëtar i Komisioneve për Punë të Jashtme dhe Forcat e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.
Sipas Kurtit, në takim është diskutuar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus në siguri dhe mbrojtje, investime dhe sundimin e ligjit.
Kurti ka theksuar synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe avancimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke veçuar edhe partneritetin ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, që nga viti 2011.
Në takim është diskutuar edhe situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, orientimi euroatlantik i rajonit dhe aspirata e Kosovës për pjesëmarrje të plotë në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në.
Kurti ngre çështjen e shqiptarëve të Luginës
Një pjesë e rëndësishme e takimit i është kushtuar shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Kurti ka ngritur shqetësimet për, siç ka thënë ai, nënpërfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike, polici, gjyqësor dhe shëndetësi, si dhe për pasivizimin e adresave.
Ai ka përmendur gjithashtu pengesat në arsimin në gjuhën shqipe dhe mosnjohjen e diplomave të fituara në Kosovë.
Në takim kanë marrë pjesë edhe deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Kurti ka kërkuar që çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës të trajtohet në Komisionin e Helsinkit dhe të ngrihet në komunikimet me Beogradin.
Në fund të takimit, Kurti ka falënderuar kongresistin Wilson për mbështetjen ndaj Kosovës dhe angazhimin në çështjet e sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në rajon.
Ai gjithashtu e ka ftuar Wilsonin që ta vizitojë sërish Kosovën, së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan./kudoshqip.com

















