Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Kurti e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe ka deklaruar se ai duhet të ndryshohet në procedurën e apelit.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se aktgjykimi nuk duhet të interpretohet si qëndrim i popullit të Kosovës dhe ka shprehur mbështetjen e institucioneve për ish-krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre gjatë procesit të apelit.
Sipas Kurtit, një pjesë e pretendimeve më të rënda që kanë shoqëruar procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk janë vërtetuar gjatë gjykimit.
Ai ka theksuar se aktgjykimi nuk e ka konfirmuar pretendimin se UÇK-ja kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile, ndërsa ka argumentuar se procesi nuk përbënte një gjykim mbi legjitimitetin e luftës së UÇK-së.
“Përfundimet dënuese lidhen me akuza të caktuara për krime lufte, përfshirë torturën e personave të konsideruar bashkëpunëtorë të regjimit serb. Këto janë konstatime të padrejta, por nuk janë përfundimtare dhe do t’i nënshtrohen shqyrtimit në apel”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka kritikuar gjithashtu mandatin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara, duke argumentuar se drejtësia është përqendruar vetëm te njëra palë e konfliktit.
Sipas tij, fakti që në bankën e të akuzuarve ndodhen vetëm pjesëtarë shqiptarë, ndërsa krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë nuk janë pjesë e juridiksionit të kësaj gjykate, ka krijuar, siç është shprehur ai, “pamjen e një drejtësie njëetnike”.
Kurti ka përmendur edhe historinë e luftës në Kosovë, duke argumentuar se UÇK-ja ishte rezultat i represionit dhe shtypjes së shqiptarëve të Kosovës.
Ai ka kujtuar heqjen e autonomisë së Kosovës, përjashtimet nga institucionet, burgosjet, torturat dhe vrasjet, si dhe masakrat, dëbimet masive dhe shkatërrimin e vendbanimeve gjatë luftës.
“Asnjë vuajtje njerëzore nuk duhet mohuar apo zvogëluar. Por, po aq e padrejtë do të ishte që konstatimet për veprime të caktuara të shndërroheshin në aktakuzë kundër UÇK-së dhe në gjykim të luftës çlirimtare”, është shprehur Kurti.
Në fund të deklaratës, kryeministri ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i mbështesë Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin gjatë procedurës së apelit.
“Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përfunduar duke theksuar se aktgjykimi, sipas tij, nuk e gjykon arsyen historike të krijimit të UÇK-së.
“Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo”, ka përfunduar Kurti./kudoshqip.com

















