Trajneri i Juventus, Luciano Spalletti, ka përgëzuar paraqitjen e reprezentuesit të Kosovës, Edon Zhegrova, pas barazimit dramatik 3-3 ndaj AS Roma.
Zhegrova u aktivizua nga banka rezervë, por ndikimi i tij ishte i menjëhershëm. Ai u përfshi drejtpërdrejt në dy golat e “Bianconerëve”, duke ndihmuar skuadrën të rikthehej në rezultat dhe të siguronte një pikë të rëndësishme.

Në deklaratën pas ndeshjes, Spalletti përmendi disa nga lojtarët kyç të takimit, duke theksuar kontributin e Zhegrovës. Ai vlerësoi performancën e Yildizit, ndërsa për kosovarin u shpreh se krijoi “diçka speciale” në momentet vendimtare. Sipas tij, edhe Boga zotëron aftësinë për të bërë diferencën në situata të vështira.
Tekniku italian theksoi se skuadra nuk e humbi besimin deri në fund, duke shtuar se futbolli shpërblen këmbënguljen dhe besimin. Ai nënvizoi se lojtarë si Boga, Yildiz dhe Zhegrova kanë intuitën dhe cilësinë për të krijuar raste edhe kur duket se hapësirat mungojnë.
Sa i përket objektivave sezonale, Spalletti u shpreh optimist për një përfundim të suksesshëm. Ai deklaroi se synimi për një vend në top katër mbetet prioritet dhe se, pavarësisht periudhave të vështira dhe mungesës së fatit në disa ndeshje, skuadra ka treguar përmirësim të dukshëm në shumë aspekte të lojës.
Me paraqitjet e fundit, përfshirë ato ndaj Romës dhe Galatas, Zhegrova duket se ka forcuar pozicionin e tij si një alternativë serioze për formacionin e Spallettit në sfidat e ardhshme.

















