Shqip kudo që je!

Raport i Eurostat: Një në tre shqiptarë përballet me vështirësi serioze ekonomike

Një raport i fundit i publikuar nga Eurostat nxjerr në pah sfidat e vazhdueshme ekonomike me të cilat përballen familjet shqiptare. Sipas të dhënave për vitin 2024, rreth 35% e popullsisë në Shqipëri jeton në kushte të privimit të rëndë material dhe social, duke shënuar nivelin më të lartë në Evropë.

Ky tregues mat pamundësinë e individëve për të përballuar të paktën shtatë nga trembëdhjetë nevoja bazë të jetesës. Këto përfshijnë pagesën e qirasë dhe faturave, përballimin e shpenzimeve të papritura, mundësinë për të bërë një javë pushime në vit, blerjen e veshjeve dhe këpucëve të reja, si dhe pjesëmarrjen në aktivitete sociale apo zëvendësimin e pajisjeve shtëpiake të amortizuara.

Megjithatë, raporti evidenton një përmirësim gradual krahasuar me vitin 2018, kur niveli i privimit arrinte në rreth 46%. Pavarësisht këtij progresi, Shqipëria mbetet ndjeshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian, e cila llogaritet në vetëm 6.3%.

Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria vijon të renditet më dobët. Në Maqedoninë e Veriut, shkalla e privimit të rëndë material është 11.6%, në Serbi 10.3%, ndërsa në Mal të Zi 12.3%.

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht uljes së varfërisë ekstreme në vitet e fundit, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve ende përballet me vështirësi reale në sigurimin e kushteve minimale të jetesës, duke theksuar nevojën për politika më efektive sociale dhe ekonomike./kudoshqip.com/

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus