Një hap i rëndësishëm drejt integrimit më të afërt të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian është bërë pas miratimit të nisjes së negociatave për heqjen e tarifave të roaming-ut ndërmjet vendeve të rajonit dhe BE-së.
Sipas burimeve nga institucionet evropiane, ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë dritën jeshile për fillimin e negociatave me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Vendimi pritet të formalizohet në ditët në vijim nga Këshilli i Bashkimit Evropian, duke hapur rrugën për bisedime individuale me secilin prej vendeve të rajonit.
Përfaqësues të Presidencës së BE-së kanë vlerësuar këtë zhvillim si një sinjal të fortë të mbështetjes për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Sipas tyre, zgjerimi i zonës pa roaming do të afrojë më shumë qytetarët e rajonit me tregun evropian dhe do të lehtësojë komunikimin, lëvizjen dhe bashkëpunimin ekonomik.
Ideja për heqjen e roaming-ut u propozua nga Komisioni Evropian në fillim të këtij viti dhe konsiderohet si një nga nismat më konkrete që sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
Modeli “Roam Like at Home”, i cili zbatohet prej vitit 2017 në vendet e Bashkimit Evropian dhe Zonës Ekonomike Evropiane, u mundëson përdoruesve të telefonisë mobile të përdorin telefonin e tyre në vendet e tjera pjesëmarrëse pa tarifa shtesë për thirrje, mesazhe apo internet.
Kjo skemë është zgjeruar së fundmi edhe për Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa tani synohet përfshirja edhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Zyrtarët evropianë shpresojnë që negociatat të përfundojnë brenda këtij viti. Nëse procesi ecën sipas planit, qytetarët e Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit mund të përfitojnë nga heqja e tarifave të roaming-ut në territorin e Bashkimit Evropian që nga viti i ardhshëm.
Heqja e roaming-ut konsiderohet një nga projektet më të prekshme për qytetarët, pasi do të reduktojë ndjeshëm kostot e komunikimit për miliona njerëz që udhëtojnë, studiojnë apo punojnë mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së.
Burimi: Radio Evropa e Lirë (REL).

















