Enti Federal i Statistikave në Zvicër ka publikuar listën zyrtare të emrave më të zgjedhur për foshnjat e lindura gjatë vitit 2025. Të dhënat tregojnë se disa emra vazhdojnë të ruajnë popullaritetin e tyre prej vitesh, ndërsa në renditje janë shfaqur edhe emra të rinj.
Te djemtë, emri Noah kryeson sërish listën, i ndjekur nga Liam dhe Gabriel.
Ndërsa te vajzat, emri më i preferuar nga prindërit ishte Sofia, pasuar nga Emma dhe Mia.
Noah vazhdon dominimin
Emri Noah ka konfirmuar edhe një herë pozicionin e tij si një prej emrave më të preferuar në Zvicër.
Ai ka kryesuar listën në vitet 2010 dhe 2011, si dhe në periudhën 2013–2017. Pas një rikthimi në krye në vitin 2021, Noah ka qëndruar në vendin e parë pa ndërprerje deri në vitin 2025.
Edhe Sofia ka qenë prej vitesh ndër zgjedhjet më të preferuara të prindërve zviceranë, duke u renditur në mesin e tre emrave më të popullarizuar në disa vite gjatë periudhave 2017–2019 dhe 2022–2024.
Emrat që u ngjitën më shumë në renditje
Statistikat e reja tregojnë edhe ndryshime të rëndësishme në preferencat e prindërve.
Rritjen më të madhe në renditje gjatë vitit 2025 e shënuan Liyana te vajzat dhe Arno te djemtë.
Krahasuar me vitin 2024, Liyana u ngjit me plot 279 pozicione, ndërsa Arno me 199 vende.
Në anën tjetër, rënien më të madhe e regjistruan Linda te vajzat, e cila humbi 69 pozicione, dhe Milan te djemtë, i cili ra me 76 vende.
Dy emra shqiptarë në mesin e 100 më të njohurve
Në listën e 100 emrave më të përdorur për foshnjat e lindura në Zvicër gjatë vitit 2025 bien në sy edhe dy emra me përdorim të gjerë te shqiptarët: Luan dhe Dua.
Luan renditet në vendin e 23-të në klasifikimin e emrave për djem, ndërsa Dua zë vendin e 65-të në listën e emrave për vajza.
Gjithashtu, për herë të parë në listën e 100 emrave më të përhapur për të porsalindurit janë përfshirë Mina dhe Maleo.
Renditja tregon se krahas emrave tradicionalë dhe ndërkombëtarë, në Zvicër po fitojnë terren edhe emra më të rinj, duke reflektuar diversitetin gjithnjë e më të madh të shoqërisë zvicerane.

















