Roli i diasporës në zhvillimin e sektorit të ndërtimit dhe patundshmërive, sfidat me të cilat përballen investitorët dhe mundësitë për krijimin e një ambienti më të favorshëm për investime ishin temat kryesore të një paneli të organizuar në kuadër të Expo Real Kosova 2026.
Në këtë diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve, sektorit bankar, arkitekturës, biznesit dhe komunikimit, të cilët ndanë pikëpamjet e tyre mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet diasporës dhe institucioneve vendore për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe urban të Kosovës.
Paneli u moderua nga Sherife Kçiku Vishaj, drejtoreshë ekzekutive e PR Solutions, e cila theksoi se diaspora përfaqëson një partner të rëndësishëm strategjik dhe se dialogu ndërmjet të gjithë akterëve është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të tregut të patundshmërive.
Diaspora, shtyllë e rëndësishme e zhvillimit
Kryetarja e Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës, Mimoza Haxhija Jedrashi, vlerësoi se investimet e mërgatës kanë pasur ndikim të madh në zhvillimin e sektorit të ndërtimit dhe në transformimin e zonave urbane e rurale.
Sipas saj, projektet duhet të bazohen në cilësi, planifikim afatgjatë dhe qëndrueshmëri, ndërsa investitorët nga diaspora duhet të bashkëpunojnë me profesionistët vendorë, të cilët njohin legjislacionin dhe rregullat e planifikimit urban në Kosovë.
Ajo theksoi se arkitekti nuk duhet parë vetëm si projektues teknik, por si partner strategjik gjatë gjithë procesit të investimit, duke shtuar se kombinimi i përvojës ndërkombëtare të diasporës me ekspertizën vendore krijon projekte më cilësore dhe më të qëndrueshme.
Bankat synojnë të lehtësojnë investimet
Nga ana e sektorit bankar, Muhamet Hajdari, Udhëheqës për Përvojën e Klientit në NLB Bank, deklaroi se diaspora vazhdon të tregojë besim dhe interes të lartë për investime në Kosovë.
Ai bëri të ditur se banka ka zhvilluar produkte dhe shërbime të posaçme për mërgatën, me synimin që procesi i financimit të jetë më i thjeshtë, më i shpejtë dhe më i qasshëm.
Sipas Hajdarit, digjitalizimi i shërbimeve bankare dhe krijimi i paketave të dedikuara për diasporën mbeten ndër prioritetet kryesore të institucionit.
Më pak burokraci dhe më shumë siguri për investitorët
Kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, Omer Nura, tha se lidhja emocionale me vendlindjen vazhdon të jetë arsyeja kryesore që i motivon shqiptarët e diasporës të investojnë në Kosovë.
Megjithatë, ai vlerësoi se ky potencial mund të shfrytëzohet edhe më shumë nëse përmirësohet klima e të bërit biznes. Sipas tij, procedurat burokratike, mungesa e digjitalizimit, siguria juridike dhe stabiliteti institucional mbeten ndër shqetësimet kryesore të investitorëve.
Nura propozoi gjithashtu krijimin e fondeve të përbashkëta investuese ndërmjet shtetit, sektorit bankar dhe diasporës për realizimin e projekteve strategjike.
Investimet e diasporës përtej blerjes së pronave
Pjesëmarrësit në panel u pajtuan se investimet e diasporës nuk duhet të kufizohen vetëm në blerjen e banesave apo patundshmërive, por duhet të shihen si një mundësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, urban dhe social.
Sipas tyre, përveç kapitalit financiar, diaspora sjell përvojë profesionale, rrjete ndërkombëtare bashkëpunimi dhe standarde të reja zhvillimi, të cilat mund të kontribuojnë ndjeshëm në modernizimin e ekonomisë së Kosovës.
Paneli u organizua në kuadër të Expo Real Kosova 2026, një platformë që synon të promovojë Kosovën si destinacion atraktiv për investime në ndërtim, patundshmëri dhe zhvillim urban.
Përmes diskutimeve tematike, prezantimeve dhe takimeve të biznesit, Expo Real Kosova synon të forcojë bashkëpunimin mes investitorëve, institucioneve financiare, profesionistëve dhe diasporës, duke krijuar mundësi të reja për investime dhe zhvillim ekonomik afatgjatë.
















