Një nga përplasjet më të ashpra politike të kohëve të fundit u zhvillua dje në Bundestagun gjerman, ku kancelari Friedrich Merz dhe liderja e AfD-së, Alice Weidel, shkëmbyen akuza të forta për drejtimin e vendit.
Debati u shoqërua me ndërhyrje të vazhdueshme nga deputetët, brohoritje, fishkëllima dhe tensione të larta në sallë.
Weidel e akuzoi koalicionin CDU-SPD për dështim në disa fusha të politikës, veçanërisht në migracion, energji dhe politikën klimatike. Ajo kërkoi largimin e qeverisë dhe të kancelarit Merz, ndërsa insistoi që nga Gjermania të largohen menjëherë personat që nuk kanë të drejtë ligjore të qëndrojnë në vend.
Merz iu përgjigj me tone të ashpra, duke e lidhur kërkesën e AfD-së për „remigracion“ me një politikë që, sipas tij, mund të çojë në diskriminim mbi bazën e origjinës dhe ngjyrës së lëkurës. Kancelari sulmoi gjithashtu AfD-në për qëndrimet e saj ndaj Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin.
Përplasja politike u zhvillua në një moment veçanërisht të ndjeshëm për Gjermaninë, pas zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt, ku AfD doli si forca më e votuar.
Tensionet në Bundestag arritën një pikë të tillë sa kryetarja e parlamentit u detyrua të ndërhynte, duke u bërë thirrje deputetëve: „Këtu jemi në Bundestag, jo në një stadium futbolli!“ Ajo paralajmëroi se personat që nuk respektojnë rregullat mund të largohen nga salla.
Me zgjedhjet e ardhshme në disa lande gjermane më 20 shtator, përplasjet mes partive pritet të bëhen edhe më të forta.
A po hyn Gjermania në një fazë të re të polarizimit politik? Dhe sa mund të ndikojnë këto zhvillime në stabilitetin e koalicionit dhe në pozitën e kancelarit Friedrich Merz?/kudoshqip.com

















