Çfarë do të thotë tani që dy garantuesit e rendit të paqes në Ballkan, SHBA dhe BE, janë larguar nga njëri-tjetri? Ku lindin rreziqe të reja dhe si mund të përballen ato? Dhe si funksionon bashkëveprimi midis akterëve ndërkombëtarë dhe atyre lokalë në Ballkan?
Ndryshimet reale dhe të pritshme në sjelljen amerikane po shkaktojnë tashmë pasiguri, shkruan NZZ, dhe numëron tre shembuj.
1. Tërheqja amerikane nga Kosova?
Autoritetet dhe popullsia e Kosovës u alarmuan kur portali i lajmeve “Politico” raportoi se SHBA-ja mund të tërhiqej gradualisht nga misioni i KFOR-it. Politikanë kosovarë theksuan se prania amerikane është jetike për paqen dhe stabilitetin. Edhe Beogradi reagoi, duke thënë se tërheqja do ta komplikonte situatën e sigurisë. Një diplomat serb e konfirmon këtë për NZZ: Amerika mbetet faktor thelbësor stabiliteti.
Më vonë u pa se në Washington ka diskutime, por ende s’ka vendim. Megjithatë reagimet tregojnë se stabiliteti i rajonit lidhet ende fort me praninë amerikane.
2. Një marrëveshje me Dodikun
Për vite me radhë, Milorad Dodik ishte figura kyçe në Republika Srpska. Nën administratën e Joe Biden ai u sanksionua disa herë. Por administrata e Donald Trumpit e hoqi nga lista e sanksioneve pasi ai u tërhoq nga posti i kryetarit të Republikës Serbe të Bosnjës dhe tërhoqi disa ligje. Megjithatë, ai vazhdon të ketë ndikim dhe retorika e tij mbetet e njëjtë.
Donald Trump Jr. e vizitoi Dodikun dhe e lavdëroi si përfaqësues të një Evrope Lindore “të shëndetshme”. Kjo tregon një ndryshim në qasjen amerikane ndaj tendencave separatiste.
3. Serbia po armatoset
Presidenti Aleksandar Vuçiq konfirmoi se Serbia ka blerë raketa kineze CM-400. Ajo tashmë ka edhe dronë dhe sisteme mbrojtjeje ajrore kineze.
Kjo shkaktoi reagime të forta nga Kroacia dhe Kosova. Por ajo që shqetësoi më shumë ishte mungesa e reagimit nga SHBA.
A mund ta stabilizojë Evropa Ballkanin?
Përgjigjja është e ndërlikuar. Sfida nuk është kryesisht ushtarake, por politike dhe strategjike. BE-ja, së bashku me shtyllën evropiane të NATO-s, ka kapacitete të mjaftueshme për të përballuar akterët e dhunshëm.
Problemi kryesor është tjetërkund: BE-ja ka dobësuar instrumentin e saj më të fortë – politikën e zgjerimit. Stabiliteti lidhet me zhvillimin. Përvoja e zgjerimit drejt Lindjes tregon se integrimi nxit reforma.
Por procesi i anëtarësimit është i ngadalshëm dhe burokratik. Shumë shtete anëtare e kundërshtojnë zgjerimin e plotë. Diskutohet për një integrim gradual.
Zgjidhja është e qartë: një proces i ri anëtarësimi që lejon integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor. Suksesi i tij do të ishte provë e pjekurisë evropiane dhe e pavarësisë së saj në politikën e sigurisë nga SHBA.