Në zgjedhjet komunale të mbajtura më 8 mars 2026 në Lausanne, dy kandidatë me prejardhje shqiptare kanë arritur të sigurojnë ulëse në Asamblenë komunale të qytetit.
Musa Kamenica dhe Tora Vlora, të dy kandidatë të Partia Socialiste e Zvicrës, dolën fitues nga pesë kandidatë shqiptarë që ishin në garë për këtë institucion lokal.
Kamenica siguroi mandatin e tij të tretë në parlamentin e qytetit, duke marrë 7.869 vota. Ndërkohë, Vlora Tora u zgjodh për herë të parë, duke fituar 7.352 vota nga elektorati. Kamenica aktualisht mban edhe postin e kryetarit të Parlamentit të Lozanës, detyrë të cilën pritet ta ushtrojë deri në qershor të vitit 2026.
Sa i përket rezultatit të përgjithshëm të partive në Asamblenë komunale, Partia Socialiste ka pësuar një rënie të lehtë, duke kaluar nga 29 në 26 ulëse. Ndërkohë, Partia Liberal-Radikale ka shënuar rritje, duke fituar dy vende dhe duke arritur në 23 ulëse.
Një rënie më e ndjeshme kanë pësuar Të Gjelbrit, të cilët kanë humbur nëntë vende, duke zbritur nga 24 në 15 ulëse në parlamentin komunal.
Në anën tjetër, koalicioni Ensemble à Gauche ka shënuar një rritje të dukshme, duke shtuar gjashtë vende dhe duke arritur në 19 ulëse. Po ashtu, UDC/SVP ka përmirësuar përfaqësimin e saj me tre ulëse më shumë, duke arritur në 10.
Ndërkohë, Les Verts Libéraux dhe Le Centre kanë shtuar përfaqësimin e tyre nga 5 në 7 ulëse.
Sa i përket zgjedhjeve për Ekzekutivin e qytetit, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë shumicën absolute në raundin e parë. Për këtë arsye, gara do të vazhdojë në balotazh më 29 mars 2026, ku do të përcaktohet përbërja e re e qeverisjes lokale dhe drejtimi politik i qytetit për mandatin e ardhshëm.

















