Që nga 22 maji 2026, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Shtetësinë, i cili sjell ndryshime të rëndësishme dhe procedura më të thjeshta për qytetarët që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht për diasporën në Gjermani.
Sipas autoriteteve kosovare, ligji i ri synon të lehtësojë regjistrimin e shtetësisë për fëmijët e lindur jashtë Kosovës, rikthimin e shtetësisë për personat që e kanë humbur më herët, si dhe procesin e natyralizimit për pjesëtarët e diasporës dhe familjet e tyre.
Një nga ndryshimet kryesore është se për regjistrimin e një fëmije të lindur jashtë Kosovës tashmë mjafton që vetëm njëri prej prindërve të ketë shtetësi kosovare. Për aplikim kërkohen dokumente bazë, si certifikata ndërkombëtare e lindjes dhe dokumentet identifikuese të prindërve.
Ndërkohë, personat që kërkojnë ri-fitimin e shtetësisë duhet të paraqesin dëshmi të shtetësisë së mëparshme, dokument identifikimi valid dhe një deklaratë për respektimin e rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës.
Ligji i ri sjell gjithashtu lehtësime edhe për personat që kanë pasur dënime më të lehta penale. Sipas dispozitave të reja, gjobat ose dënimet deri në një vit burgim nuk do të konsiderohen automatikisht pengesë për ri-fitimin apo marrjen e shtetësisë në raste të caktuara.
Për anëtarët e diasporës që aplikojnë për natyralizim, kërkohen dëshmi për lidhje familjare, ekonomike ose personale me Kosovën, si dhe dëshmi për qëndrim të ligjshëm jashtë vendit dhe përmbushjen e obligimeve financiare ndaj shtetit.
Autoritetet rikujtojnë se Kosova vazhdon të lejojë shtetësinë e dyfishtë, duke u mundësuar qytetarëve të mbajnë edhe shtetësinë gjermane, në përputhje me ligjet përkatëse të të dy vendeve.
Aplikimet për regjistrim, natyralizim dhe ri-fitim të shtetësisë mund të bëhen në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në Gjermani.

















