FC Kosova ka shkruar histori duke triumfuar në Kupën e Düsseldorfit, pas një ndeshjeje spektakolare dhe plot emocione deri në sekondat e fundit.
Finalja ishte një betejë e vërtetë sportive. Ekipi vendas kaloi dy herë në epërsi, fillimisht me rezultatin 1:0 dhe më pas 2:1. Megjithatë, futbollistët e FC Kosovës treguan karakter të jashtëzakonshëm, duke mos u dorëzuar në asnjë moment dhe duke barazuar shifrat në 2:2 brenda kohës së rregullt.
Në vazhdimet prej 2×15 minutash, skuadra jonë arriti të kalojë në avantazh 3:2, por drama nuk kishte përfunduar. Në pjesën e dytë të vazhdimeve, Lohhauseni përmbysi gjithçka brenda vetëm tre minutash, duke kaluar në epërsi 4:3.
Kur gjithçka dukej e humbur, erdhën momentet që do të mbeten gjatë në kujtesën e tifozëve. Në aksionin e fundit të ndeshjes, pas një goditjeje dënimi, topi u largua në vijën fundore, duke i dhënë FC Kosovës një mundësi të fundit. Në sulm u bashkua edhe portieri Enea Koliqi, i cili u shndërrua në heroin e mbrëmjes duke shënuar me kokë për rezultatin 4:4!
Fituesi u vendos përmes penalltive, ku lojtarët e FC Kosovës treguan qetësi dhe saktësi maksimale, duke realizuar të gjitha goditjet. Ndërkohë, Koliqi vulosi paraqitjen e tij të jashtëzakonshme duke pritur dy penallti, për t’i siguruar ekipit trofeun e shumëpritur./kudoshqip.com/

















