Referendumi në Zvicër rrëzon iniciativën për kufizimin e popullsisë në 10 milionë banorë
Një iniciativë e Partisë Popullore Zvicerane (SVP) për të kufizuar numrin e banorëve në Zvicër në më pak se 10 milionë deri në vitin 2050 është refuzuar nga shumica e votuesve në një referendum kombëtar.
Sipas rezultateve paraprake, rreth 55 për qind e qytetarëve votuan kundër propozimit, i cili synonte vendosjen e kufizimeve më të rrepta ndaj migracionit dhe rritjes së popullsisë. Nisma ishte drejtpërdrejt e orientuar drejt reduktimit të ardhjes së të huajve, duke përfshirë kufizime në azil, bashkime familjare si dhe hyrjen e qytetarëve nga Bashkimi Evropian.
SVP argumentonte se rritja e shpejtë e popullsisë po ushtron presion mbi infrastrukturën, tregun e banesave dhe shërbimet publike. Megjithatë, kundërshtarët e nismës paralajmëruan se masa të tilla do të dëmtonin ekonominë zvicerane dhe do të kufizonin fuqinë punëtore të huaj, e cila luan rol kyç në shumë sektorë.
Aktualisht, Zvicra ka rreth 9.1 milionë banorë, prej të cilëve mbi 2.5 milionë janë me origjinë të huaj. Mes tyre përfshihet edhe një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh, që prej dekadash kontribuojnë në jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit.
Rezultati i referendumit konsiderohet si një sinjal i qartë i mbështetjes për një politikë më të hapur dhe pragmatike ndaj migracionit në Zvicër./kudoshqip.com

















