Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar gjatë vizitës së tij në Beograd se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj Kosovës dhe vazhdon të mos e njohë pavarësinë e saj, transmeton kudoshqip.com
Gjatë një konference për media në Beograd, Zelensky u pyet për qëndrimin e Ukrainës lidhur me Kosovën dhe nëse Kievi ka ndërmarrë ndonjë ndryshim në politikën e tij ndaj Prishtinës.
Presidenti ukrainas theksoi se vendi i tij mbetet i përkushtuar ndaj parimit të integritetit territorial dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Ky është qëndrimi ynë. Sa i përket shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Gjithmonë e kemi theksuar këtë dhe politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar”, deklaroi Zelensky, sipas raportimeve të mediave serbe.
Në fjalën e tij, presidenti ukrainas gjithashtu shprehu mirënjohje ndaj Serbisë për qëndrimin e saj lidhur me integritetin territorial të Ukrainës, duke përmendur në veçanti çështjen e Krimesë.
“Ne nuk do ta ndryshojmë qëndrimin tonë për çështjen e Serbisë”, u shpreh Zelensky.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur Ukraina dhe Serbia po synojnë të thellojnë marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa çështja e Kosovës vazhdon të mbetet një temë e ndjeshme në marrëdhëniet e Beogradit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë.

















