Shqip kudo që je! Rreth nesh Reklamo

Vrasja e Arlinda Zekajt: Prokuroria thotë se e udhëzoi të shkojë në shtëpinë e vëllezërve

Vrasja e Arlinda Zekajt: Prokuroria thotë se e udhëzoi të shkojë në shtëpinë e vëllezërve - Vrasja Arlinda ZekajtProkuroriathotëseeudhëzoitëshkojënështëpinëevëllezërve
– min lexim Shpërndaje

Në shkallët e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës hidhet ngjyrë e kuqe dhe në portën e saj vendoset një baner me mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në shenjë proteste pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor në Pejë.

Tri ditë para vrasjes së Arlinda Zekajt, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin mund t’ia rrezikonte jetën. Këtë e bëri të ditur Prokuroria Themelore në Pejë më 26 tetor.

Sipas saj, prokurori dhe hetuesit kishin planifikuar që një patrullë policore të qëndronte pranë shtëpisë gjatë kthimit të Zekajt.

Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor, me goditje me një mjet të fortë. Sipas Prokurorisë, ajo sapo ishte kthyer në shtëpi e shoqëruar nga policia.

Ajo ishte kthyer në shtëpi pas raportimit të dhunës në familje, me ç’rast ishte arrestuar dhe ndaluar ish-bashkëshorti i saj.

Më 22 tetor, Zekaj i ishte ankuar kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj për dështime në trajtimin e rasteve të saj. Ajo kishte kërkuar edhe zbatimin e një vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët me ish-bashkëshortin.

Një ditë më pas, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj për kanosje në marrëdhënie familjare.

Pas vrasjes, Kryeprokurori i Shtetit kërkoi të hënën raport të detajuar dhe analizë të rastit. Ai kërkoi të sqarohej “nëse kishte lëshime dhe përgjegjësi institucionale apo individuale”.

Ndërsa, Inspektorati Policor i Kosovës tha se ka filluar veprime hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën se si Policia i ka trajtuar të gjitha rasteve e raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj.

Me kërkesë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi mbajti pasdite seancë të jashtëzakonshme, e cila nisi me një minutë heshtje në nderim të Zekajt.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi nga Prokuroria dhe institucionet përgjegjëse ta sqarojnë se si janë trajtuar denoncimet e saj, pse paralajmërimi për rrezikun ndaj jetës nuk është parandaluar me masa konkrete mbrojtëse dhe nëse ka pasur neglizhencë nga zyrtarët përgjegjës.

“E dënoj ashpër këtë krim, për Arlindën kërkoj drejtësi dhe zbardhjen e çdo përgjegjësie. Çdo shkelje duhet të zbardhet dhe çdo përgjegjësi të trajtohet sipas ligjeve”, tha Kurti gjatë debatit në Kuvend.

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion QIKA, kreu një aksion simbolik duke derdhur ngjyrë të kuqe në shkallët pranë ndërtesës së Qeverisë në kryeqytet, si dhe duke e vendosur një baner me mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në portën e ndërtesës.

Si u vra Arlinda Zekaj?

Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës më 25 tetor, rreth orës 21:00.

Më herët atë mbrëmje, Zekaj kishte raportuar dhunë në familje. Sipas Prokurororisë, ish-bashkëshorti i saj, J.S., ishte ndaluar për 48 orë. Ndaj tij ishte iniciuar procedurë për mospërfillje të gjykatës.

Ndërkohë Zekaj ishte kthyer në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin siç tha Policia “me vullnetin e saj”.

Pak më vonë, Zekaj u konstatua e vrarë nga goditjet me një mjet të fortë.

Njoftimi i fundit i Prokurorisë së Pejës nuk sqaron nëse policia kishte qëndruar pranë shtëpisë pas kthimit të saj atë mbrëmje. I dyshuari për vrasjen, kunati i saj A.S., ende gjendet në arrati.

Sipas Prokurorisë, Zekajt i ishte ofruar mundësia të shkonte në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodheshin djali dhe pasuria e saj.

Kryeprokurori i Shtetit në Kosovë gjatë ditës kërkoi raport të detajuar dhe analizë për të parë “nëse kishte lëshime dhe përgjegjësi institucionale apo individuale” në trajtimin e rastit.

Ngjarjet para dhe pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Arlinda Zekaj kishte raportuar dhunë dhe kishte kërkuar mbrojtje institucionale para se të vritej më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Kjo kronologji përmbledh ngjarjet që i paraprinë vrasjes, rrethanat e asaj mbrëmjeje dhe veprimet e institucioneve pas saj.

Data/KohaNgjarjet
16 tetor 2026Gjykata urdhëron kthimin e Arlinda Zekajt në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin.
16 tetor 2026Lëshohet urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor. Policia ngarkohet me zbatimin.
22 tetor 2026Zekaj i shkruan Kryeprokurores së Pejës. Kërkon përgjegjësi për dështime institucionale në rastin e saj. Shpreh frikën se mund të vritet.
Sipas procesverbalit të 22 tetoritProkuroria thotë se inicion rast për përgjegjësi të mundshme penale të zyrtarëve dhe kërkon trajtim urgjent nga institucionet.
Sipas procesverbalit të 22 tetoritProkurori vlerëson rrezik për jetën nga kthimi në shtëpi. Zekaj pranon të qëndrojë te vëllezërit.
Sipas procesverbalit të 22 tetoritZekaj kërkon kthim me polici të nesërmen. Planifikohet prani policore pranë shtëpisë.
23 tetor 2026Ngrihet aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit për kanosje në familje. Mbetet e paqartë nëse Zekaj kthehet në shtëpi këtë ditë.
25 tetor 2026, 19:48Policia njofton prokurorin për dhunë të dyshuar në familje.
25 tetor 2026, në stacionZekaj dhe ish-bashkëshorti shoqërohen në stacion. Ai ndalohet ndalohet për 48 orë.
25 tetor 2026, në Stacion PolicorSipas Prokurorisë, Zekaj refuzon strehimoren. Kërkon të kthehet në shtëpi, ku ndodheshin djali dhe pasuria e saj.
25 tetor 2026, rreth 21:00Policia e kthen në shtëpi. Nuk sqarohet nëse patrulla qëndron pranë shtëpisë.
Rreth orës 21:10Prokurori njoftohet për goditjen e Zekajt me mjet të fortë. Kunati i saj, i dyshuar për vrasjen, arratiset.
26 tetor 2026Policia shpall në kërkim kunatin, të dyshuar për vrasjen.

Tabela: Doruntina BaliuBurimi: Të dhënat zyrtare nga organet e drejtësisë dhe të rendit.

Për vrasjen reagoi edhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, e cila kërkoi “hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për vrasjen”.

“Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj”, tha ajo.

Të paktën 67 gra janë vrarë në Kosovë që nga viti 2010. Në shumicën e rasteve, autorë të vrasjeve ishin bashkëshortët.

67 gra të vrara nga familjarët në Kosovë që nga viti 2010

67 gra të vrara nga familjarët në Kosovë që nga viti 2010

Që nga viti 2010 e deri në tetor të 2026-tës, 67 gra janë regjistruar si viktima të vrasjeve brenda familjes.

Viktima ishte ankuar për dështime institucionale tri ditë para vrasjes

Arlinda Zekaj kishte kërkuar veprime urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse tri ditë para se të vritej.

Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi më 26 tetor se kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj kishte pranuar një kërkesë nga viktima më 22 tetor, me pretendime për dështime në trajtimin e rasteve të saj, përfshirë zbatimin e një vendimi gjyqësor.

Sipas Prokurorisë, Gjykata kishte urdhëruar më 16 tetor që ish-bashkëshorti i Zekajt ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Ishte lëshuar edhe një urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor, që kishte hyrë në fuqi menjëherë.

Zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për pengesat eventuale, sipas njoftimit, ishin përgjegjësi e Policisë.

Prokuroria tha se, kur Zekaj kishte kërkuar kthimin në shtëpi, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e saj. Ai kishte kontaktuar vëllezërit e viktimës dhe kishte udhëzuar që ajo të qëndronte te ta.

Pas bisedimeve, sipas Prokurorisë, Zekaj kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen një patrullë policore ta shoqëronte për t’u kthyer në shtëpi.

Prokurori dhe hetuesit kishin vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar, një patrullë të qëndronte pranë shtëpisë. Këto veprime, sipas njoftimit, ishin dokumentuar në një procesverbal të 22 tetorit, për të cilin ishte kërkuar të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes.

Prokuroria bëri të ditur gjithashtu se më 23 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të Zekajt për kanosje në kuadër të marrëdhënies familjare.

Njoftimi nuk sqaron nëse policia kishte qëndruar pranë shtëpisë pas kthimit të viktimës më 25 tetor.

Lidhur me pretendimet e Zekajt për dështime institucionale, Prokuroria tha se kryeprokurorja kishte iniciuar rast për të hetuar nëse veprimet ose mosveprimet e zyrtarëve përmbanin elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Kërkesa e saj u ishte përcjellë për trajtim urgjent edhe Policisë, Gjykatës Themelore në Pejë, institucioneve të mirëqenies sociale dhe Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.

Ndërkohë, Kryeprokurori i Shtetit autorizoi koordinatorin nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve ku Zekaj kishte qenë viktimë.

Nga kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar raport i detajuar për kronologjinë e rasteve, prokurorët që i trajtuan, vendimet dhe veprimet e ndërmarra, përfshirë trajtimin e kërkesës së 22 tetorit.

Inspektoratit Policor të Kosovës i është kërkuar të hetojë dhe verifikojë mënyrën se si policia i kishte trajtuar raportimet e Zekajt.

Kosova ndryshoi legjislacionin më 2023 për t’u dhënë përparësi hetimit dhe gjykimit të rasteve të dhunës në familje, ndërsa në dhjetor 2024 lansoi sistemin e mbikëqyrjes elektronike, që synon edhe mbrojtjen e viktimave.

Megjithatë, përfaqësuese të organizatave për drejtësi dhe të drejtat e grave i thanë REL-it në gusht se sfidë mbeten monitorimi i rasteve të raportuara, reagimi ndaj rrezikut dhe zbatimi i masave mbrojtëse.

Ato kërkuan edhe llogaridhënie institucionale në rastet kur gratë vriten pasi kanë kërkuar ndihmë./REL

– min lexim Shpërndaje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shërbime për diasporën

Mjete praktike, falas