Kuvendi i Kosovës i ka dhënë votëbesimin Qeverisë Kurti 4. Kabineti i propozuar nga kryeministri Albin Kurti është miratuar me 62 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim.
Qeveria e re përbëhet nga 20 anëtarë, ndërsa në postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës është propozuar Glauk Konjufca, raporton Sinjali.
Donika Gërvalla do të jetë zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, ndërsa Fikrim Damka zëvendëskryeministër i tretë.
Në kabinetin e ri janë Hekuran Murati në Ministrinë e Financave, Andin Hoti në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Ejup Maqedonci në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Xhelal Sveçla në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ministrinë e Dixhitalizimit dhe Administratës Publike do ta drejtojë Lulzon Jakxhiu, Shëndetësinë Arben Vitia, ndërsa Hajrulla Çeku është propozuar ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Pjesë e kabinetit janë edhe Saranda Bogujevci, Elbert Krasniqi, Blerim Gashani, Fitore Pacolli, Armend Muja, Mimoza Kusari, Dimal Basha, Artane Rizvanolli, Nenad Rashiq dhe Rasim Demiri.
Me votimin e kabinetit të ri qeveritar, Albin Kurti siguron edhe mandatin e katërt në krye të Qeverisë së Kosovës.

















