Djali i Marinës u dërgua në një mision luftarak në Ukrainë më 20 korrik 2025 dhe po atë ditë i dërgoi asaj një fotografi nga fronti, së bashku me një mesazh ku i thoshte se ishte plagosur lehtë kur një dron kishte shpërthyer afër tij.
Dhjetë ditë më vonë, një oficer i njësitit të tij e siguroi se ai ishte mirë dhe se do ta kontaktonte sapo t’i jepej mundësia, tha Marina për Radion Evropa e Lirë, duke kërkuar që mbiemri i saj të mos bëhej publik nga frika e pasojave nga shteti rus.
Por, që atëherë ajo nuk ka marrë më asnjë lajm nga i biri. Dhe, kur në gusht të vitit të kaluar telefonoi në një linjë telefonike të Ministrisë së Mbrojtjes për të kërkuar informacion mbi fatin e tij, mësoi se ai ishte shpallur si ushtar i larguar pa leje, apo dezertor, që nga 23 korriku.
Më shumë se një vit më vonë, Marina ka frikë se djali i saj ka vdekur. Ajo dyshon po ashtu se është njëra prej shumë rusëve, djemtë, bashkëshortët ose baballarët e të cilëve janë dezertorë, pavarësisht gjasave të mëdha që në të vërtetë të jenë vrarë ose të jenë zhdukur në luftime.
Motivi kryesor për një mashtrim të tillë janë paratë: paga e një ushtari pezullohet kur ai shpallet dezertor, ndërsa familjarët nuk kanë të drejtë të marrin pagesat e premtuara për të afërmit e të vrarëve ose të zhdukurve, apo përfitime sikurse përparësi për fëmijët në sigurimin e vendeve në institucionet arsimore, nga kopshti deri në universitet.
Marina, e cila jeton në rajonin e Kemerovos, në Siberi, verën e kaluar ndërmori hapa ligjorë për të ndryshuar statusin e të birit, në të zhdukur ose të vrarë në luftime. Ajo tha se i njëjti oficer që e kishte siguruar në korrik të vitit 2025 se i biri ishte mirë, vetëm kohët e fundit kishte filluar t’u përgjigjej pyetjeve të saj dhe i kishte thënë se kishte qenë e pamundur evakuimi i ushtarëve nga fushëbeteja ku ai ishte dërguar në misionin luftarak.
“Pra, si mund të ishte larguar ai nga zona me vullnetin e tij? Atje ka luftime të ashpra edhe sot e kësaj dite”, tha ajo për REL-in.
Marina ka ndërruar dy avokatë dhe ka shpenzuar rreth 200.000 rubla (2.500 dollarë) për këtë çështje, e cila më në fund ka shkuar në gjykatë.
“Shumë gra dhe fëmijë [të ushtarëve] nuk kanë para [për të ndjekur rrugë ligjore]. Ata u drejtohen me ankesa njësiteve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, por pothuajse kurrë nuk arrijnë ndonjë rezultat”,
Larisa, banore e rajonit të Rostovit, nuk e ka marrë pagën e bashkëshortit të saj që kur ai u shpall dezertor dhjetorin e kaluar. Duke qenë se është e zënë me kujdesin për një foshnjë dhe një fëmijë më të madh, ajo tha se nuk ka as kohë, as mundësi financiare për të luftuar për ndryshimin e statusit të tij.
“Me zemër, shpresoj që bashkëshorti im të jetë rob lufte, por e kuptoj se me shumë gjasë ka vdekur. Shokët e tij të shërbimit thanë se vendi ku ndodhej ishte aq kaos, saqë ai pothuajse nuk kishte asnjë shans”, tha ajo për REL-in. “Komandanti e pranoi… se bashkëshorti im ishte në një mision luftarak dhe nuk kishte ku të arratisej. Por, megjithatë, ata e regjistruan si dezertor”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, me synimin për të nënshtruar shtetin që është i pavarur që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Rrogat e larta dhe pagesat e tjera, si përfitimet që u jepen familjarëve në rast vdekjeje, kanë qenë një shtytje e madhe për burrat rusë që të nënshkruajnë kontrata për të luftuar në luftën më vdekjeprurëse në Evropë që nga viti 1945. Por, ushtria ruse po përballet me vështirësi për të ruajtur nivelet e ushtarëve, teksa lufta po i afrohet pesëvjetorit dhe forcat e Moskës po pësojnë humbje të mëdha, ndërsa përparojnë në fushëbetejë me një ritëm tepër të ngadaltë.
Një aktivist rus për të drejtat e njeriut, emri i të cilit nuk publikohet për arsye sigurie, tha se në rreth 95 për qind të rasteve që ai i di, në të cilat një pjesëtar i ushtrisë është zhdukur, dëshmitë tregojnë se ushtari mund të ishte plagosur rëndë, kapur nga forcat ukrainase ose vrarë, dhe jo që është larguar pa leje nga ushtria apo ka dezertuar.

















