Donald Trump konfirmoi se, gjatë largimit nga samiti i NATO-s në Turqi muajin e kaluar, u transferua në fshehtësi në një avion tjetër për shkak të një kërcënimi të mundshëm ndaj tij.
Presidenti amerikan u shpjegoi gazetarëve se u bindet vendimeve të Shërbimit Sekret dhe ushtrisë. Sipas tij, këto struktura kërkuan që ai të udhëtonte me një fluturim dhe avion tjetër, ndaj duhej të vepronte sipas udhëzimeve të tyre.
“Mendoj se kishte një kërcënim atje jashtë”, deklaroi Trump të martën, gjatë një aktiviteti në Ohio, teksa vizitonte bordin e Air Force One. Ai tha se nuk kishte kërkuar shumë hollësi, pasi merr shumë kërcënime.
“Kam shumë kërcënime për të cilat ju nuk jeni në dijeni”, shtoi presidenti.
Konfirmimi pasoi raportimet se, më 8 korrik, Trump ishte shfaqur para kamerave televizive duke hipur në Air Force One, por më pas ishte nxjerrë fshehurazi prej tij dhe ishte dërguar në një avion ushtarak me ndihmën e një kamioni ushqimor.
Vendimi i marrë në momentet e fundit ngriti pikëpyetje nëse personat që vazhduan të qëndronin në avionin e përdorur ishin ekspozuar ndaj rrezikut. Trump këmbënguli të martën se avioni ushtarak ku u transferua ai ndodhej në “rrezik më të madh”.
Zyrtarë të cituar nga CBS News, partneri amerikan i BBC-së, thanë se SHBA-të kishin identifikuar një kërcënim të besueshëm iranian për të lëshuar një raketë kundër avionit. Ndërkohë, New York Times raportoi se inteligjenca amerikane dispononte të dhëna për një person pranë vendit ku zhvillohej samiti i NATO-s, i cili ishte parë me një raketë që lëshohej nga supi.
Gazetarët dhe disa punonjës të Shtëpisë së Bardhë që ndodheshin në bord nuk ishin informuar se presidenti ishte larguar nga avioni. Ky veprim ishte pjesë e një operacioni të ndërlikuar, të ndërmarrë si përgjigje ndaj kërcënimit të mundshëm nga Irani.
Gjatë samitit në Ankara, Trump kishte deklaruar më herët se për Iranin ishte “objektivi numër një”.
Operacioni i fshehtë u krye një ditë pasi SHBA-të rifilluan sulmet ushtarake ndaj Iranit. Veprimet ushtarake nisën sërish pas dështimit të negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit për përfundimin e luftës.
Për të mbërritur në Turqi, Trump kishte përdorur një Boeing 747-8 më të ri, të dhuruar nga Katari. Megjithatë, ai njoftoi se do të largohej me Air Force One të vjetër, “për hir të kohërave të vjetra”.
Pamjet e regjistruara më 8 korrik e shfaqnin presidentin duke u ngjitur në avionin presidencial në aeroportin e Ankarasë.
Sipas Washington Post, pasi hipi në Air Force One, Trump doli sërish prej tij dhe kaloi në një kamion ushqimi. Automjeti ishte ngritur deri në lartësinë e avionit, në anën e kundërt nga ajo ku presidenti ishte parë duke hyrë.
Nëpërmjet këtij kamioni, ai u dërgua pa u vënë re drejt një avioni ushtarak më të vogël C-32A. Ky mjet fluturues është një Boeing 757 i modifikuar, i përdorur shpesh nga zëvendëspresidenti.
Gazeta raportoi se Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth hyri veçmas në C-32A, duke përdorur shkallët e jashtme. Ky veprim synonte ta paraqiste fluturimin si një udhëtim të zakonshëm.
Në të njëjtën kohë, gazetarët dhe disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë u vendosën në Air Force One. Sipas raportimeve, atyre iu kërkua t’i mbanin të mbyllura perdet e dritareve, pa e ditur se presidenti nuk gjendej më në bord.
Një producent mediatik që udhëtonte në avion tha se kërkesa për të mbajtur perdet të ulura i ishte dukur e pazakontë. Kur një fotograf e hapi për pak çaste njërën prej tyre, thuhet se iu kërkua menjëherë ta mbyllte.
Deklaratat e producentit u përfshinë në një raport të publikuar të martën nga Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Në raport u evidentua gjithashtu se, kur mbërriti shtypi, dukej se pranë avionit kishte dy kamionë ushqimi, një në pjesën e përparme dhe një tjetër në pjesën e pasme. Furgoni i medias ishte pozicionuar shumë prapa në autokolonën që shkonte drejt aeroportit, ndaj gazetarët nuk mundën ta fotografonin presidentin teksa hipte në avion.
Në kuptimin teknik, emërtimi “Air Force One” shërben si shenjë thirrjeje për cilindo avion në të cilin udhëton presidenti i SHBA-së.

















