Një ngjarje e rëndë është shënuar në Modena të Italisë, ku një automjet me shpejtësi të lartë ka dalë nga rruga dhe ka përplasur një grup këmbësorësh.
Sipas autoriteteve italiane, shoferi – një burrë rreth të tridhjetave, shtetas italian i lindur në Bergamo me origjinë nga Afrika e Veriut – është arrestuar menjëherë pas incidentit.
Bilanci paraprak flet për disa persona të lënduar, ndërsa katër prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. Lajmi është konfirmuar nga kryetari i bashkisë së Modenës, Massimo Mezzetti, i cili deklaroi se “shoferi dyshohet se ka dalë qëllimisht në trotuar, duke goditur disa persona”.
Sipas të njëjtit burim, pas përplasjes, autori ka dalë nga automjeti dhe ka nxjerrë një thikë. Një qytetar që tentoi ta ndalonte ka pësuar lëndime të lehta.
Dëshmitarët në vendngjarje kanë deklaruar se shoferi dukej të ishte nën ndikimin e alkoolit ose substancave narkotike, megjithatë kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga autoritetet.
Ngjarja ka ngjallur reagime edhe në nivelet më të larta politike. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, përmes një reagimi në rrjetet sociale, shprehu solidaritetin me të plagosurit dhe familjet e tyre, duke e cilësuar incidentin si “jashtëzakonisht serioz”.
Motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet janë në vijim./kudoshqip.com/

















