Më 24 mars 2026 është themeluar Komuniteti i Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane (KGS), një iniciativë e re që synon të bashkojë bizneset dhe profesionistët nga Kosova dhe diaspora në një strukturë moderne, transparente dhe profesionale.
Që në ditët e para, organizata ka treguar dinamizëm të lartë, duke mbledhur 45 anëtarë brenda pak ditësh, ndërsa në kuvendin themelues morën pjesë 30 prej tyre. Drejtuesit u zgjodhën me konsensus të plotë, me Shkëlzen Jusajn në krye si president.
Krijimi i KGS vjen si përgjigje ndaj problemeve dhe pakënaqësive me strukturat e mëparshme të organizimit, të cilat janë përballur me akuza për keqmenaxhim dhe mungesë transparence. Në këtë kontekst, anëtarët kanë parë të nevojshme ndërtimin e një platforme të re që garanton besueshmëri dhe përfaqësim të drejtë.
Organizata synon të shtrihet së shpejti edhe në Gjermani dhe Zvicër, duke ofruar mbështetje profesionale, rrjetëzim biznesor dhe mundësi bashkëpunimi ndërkombëtar. Deri në përfundimin e procesit të anëtarësimit, shërbimet do të ofrohen pa pagesë për anëtarët.
KGS është e orientuar drejt zhvillimit ekonomik, lehtësimit të politikave fiskale, përmirësimit të klimës së biznesit dhe krijimit të urave të bashkëpunimit mes Kosovës dhe diasporës përmes aktiviteteve, trajnimeve dhe projekteve konkrete./kudoshqip.com/

















