Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës që të dalin sa më masivisht në zgjedhjet që po mbahen sot në Serbi, duke e cilësuar këtë ditë si vendimtare për të ardhmen e tyre.
Sinani ka ushtruar të drejtën e saj të votës dhe, pas votimit, u ka bërë apel qytetarëve që të mos qëndrojnë pasivë, por të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Ajo ka theksuar se rëndësia e këtyre zgjedhjeve shkon përtej ditës së sotme, veçanërisht për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Unë ftoj masivisht qytetarët të dalin sot, të shfrytëzojnë të drejtën e votës. Dita e sotme është vendimtare, është jetike për të ardhmen, jo vetëm të rajonit, por kryesisht për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka deklaruar Sinani.
Ajo i ka ftuar qytetarët që të votojnë së bashku me familjet e tyre, duke e konsideruar pjesëmarrjen e gjerë si një mesazh të rëndësishëm për të ardhmen e komunitetit shqiptar.
Sinani e ka përshkruar procesin zgjedhor edhe si një lloj referendumi, duke ritheksuar nevojën për mobilizim të qytetarëve.
“Sot ky proces zgjedhor mendoj se është referendum në vete, andaj dilni masovikisht”, ka thënë ajo.
Zgjedhjet e sotme në Serbi përfshijnë edhe qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës, për të cilët pjesëmarrja në votime konsiderohet një mundësi për të shprehur vullnetin e tyre politik.