Shqip kudo që je!

Shtypi gjerman para aktgjykimit në Hagë: Kosova mund të përballet me trazira

Kosovën mund ta presin ditë të trazuara para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Deutsche Welle në një pasqyrë të raportimeve të mediave gjermane.
Aktgjykimi pritet të shpallet të mërkurën, më 16 shtator, në Hagë. Procesi gjyqësor lidhet me pretendimet për krime lufte të kryera ndërmjet marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.
Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, ndërsa ata janë deklaruar të pafajshëm, përcjell Reporteri.net.

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan se vendimi do të ketë rëndësi jo vetëm për Kosovën, por mund të ndikojë edhe në mënyrën se si interpretohet ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999.
Sipas gazetës, nëse Thaçi shpallet fajtor, mund të rikthehen pretendimet – jo vetëm nga Moska dhe Beogradi – se NATO-ja kishte bashkëpunuar me një person të dënuar për krime lufte. Megjithatë, një aktgjykim i shkallës së parë nuk do ta përfundonte procesin, pasi mbrojtja pritet të ankohet në rast dënimi, ndërsa prokuroria mund të veprojë njësoj në rast pafajësie.
Mijëra qytetarë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Në artikull përmendet edhe tubimi mbështetës i mbajtur të shtunën në Prishtinë. Agjencia AFP e ka vlerësuar numrin e pjesëmarrësve në dhjetëra mijëra, ndërsa AP ka raportuar për disa mijëra.
Pjesëmarrësit kanë mbajtur flamuj të UÇK-së dhe pankarta me mesazhet “Kthejini çlirimtarët në shtëpi”, “Kosova i pret heronjtë e saj” dhe “Liria për ta është e vetmja drejtësi”.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” vlerëson se një vendim dënues mund të shkaktojë protesta të reja, madje edhe trazira më serioze.
DW thekson se shumica dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës vazhdojnë të jenë të orientuar nga Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara, duke kujtuar ndërhyrjen e NATO-s më 1999 dhe mbështetjen perëndimore për pavarësinë e Kosovës më 2008. Megjithatë, shumica e tyre e konsiderojnë të padrejtë procesin në Gjykatën Speciale.
Gjykimi ndikoi në perceptimin për Thaçin
Gazeta gjermane shkruan se reputacioni i Thaçit dhe i disa ish-udhëheqësve të UÇK-së kishte rënë pas luftës. Ata shiheshin nga një pjesë e qytetarëve si përfitues të korruptuar të luftës, të cilët kishin ndarë shtetin dhe kishin bashkëpunuar me përfaqësues të diskutueshëm ndërkombëtarë.

Kjo kishte ndihmuar në ngritjen politike të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Por procesi gjyqësor në Hagë, sipas gazetës, e ka ndryshuar përsëri perceptimin publik dhe ka ndikuar në rritjen e popullaritetit të Thaçit.
Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, e cituar nga DW, rikujton se një shtysë për ngritjen e Gjykatës Speciale kishin qenë pretendimet e ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte.
Pas këtyre pretendimeve, Këshilli i Evropës kishte angazhuar politikanin zviceran Dick Marty për të zhvilluar një hetim. Raporti i tij kishte ngritur dyshime për krime të rënda të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së dhe e kishte përshkruar Thaçin si udhëheqës të një grupi kriminal, që pretendohej se merrej me trafikim organesh, armësh dhe droge.
Megjithatë, në artikull theksohet se për pretendimet për trafikim organesh nuk janë gjetur asnjëherë prova të qëndrueshme.

Prokuroria dhe mbrojtja me qëndrime të kundërta
Pas dëgjimit të më shumë se 300 dëshmitarëve, Gjykata Speciale pritet të vendosë për përgjegjësinë e të akuzuarve.
Sipas “Neue Zürcher Zeitung”, argumenti kryesor i prokurorisë nuk është domosdoshmërisht se të akuzuarit kanë vrarë ose torturuar personalisht, por se, si drejtues të lartë të UÇK-së, kishin përgjegjësi për krimet që pretendohet se ishin kryer nga vartësit e tyre.
Mbrojtja, në anën tjetër, argumenton se UÇK-ja ishte një strukturë e organizuar në mënyrë kaotike, pa një zinxhir të qartë komandues dhe se të akuzuarit nuk kishin kontroll real mbi luftëtarët në terren.

Secili prej të akuzuarve përfaqësohet nga avokatë me përvojë ndërkombëtare. Shpenzimet e mbrojtjes financohen nga donatorë privatë dhe nga shteti i Kosovës.

Facebook
LinkedIn
x.com
Pinterest
WhatsApp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lajmet e Fundit

Në Fokus