Ka lajme që të mbushin me krenari, sidomos kur lidhen me sukseset e të rinjve tanë që arrijnë majat falë dijes dhe përkushtimit.
Një histori e tillë vjen nga Italia, ku Sara Nikolin Marvataj, me origjinë nga Gjonpepajt e Nikaj-Mërturit, po bën emër me arritjet e saj. Vajza e Nikolin Sokol Marvataj, që vjen nga një familje e njohur e zonës, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën akademike dhe profesionale.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, Sara, së bashku me kolegun e saj Leonardo Rossi, janë shpallur fitues të vendit të parë në konkursin prestigjioz “Amazon Campus Challenge”. Ata arritën të dallohen mes mbi 1500 pjesëmarrësve dhe qindra studentëve nga universitete të ndryshme në gjithë Italinë.
Dy studentët e Universitetit të Padovës, të cilët janë cilësuar si një “Dream Team”, prezantuan një projekt inovativ për zhvillimin e një biznesi italian në platformën Amazon. Projekti i tyre u vlerësua për qasjen strategjike, aftësitë menaxheriale dhe vizionin në fushën digjitale.
Si shpërblim për këtë arritje, ata u nderuan nga Amazon me çmimin prej 10 mijë eurosh.
Ky sukses nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një burim krenarie për familjen, zonën e Nikaj-Mërturit dhe më gjerë. Ai dëshmon se edhe nga trevat më të vogla mund të dalin të rinj që konkurrojnë denjësisht në nivele ndërkombëtare.
Sara Marvataj është një shembull frymëzues për brezin e ri – një dëshmi se puna, përkushtimi dhe arsimi janë çelësi i suksesit./kudoshqip.com/

















