Çmimet e qirave në Zvicër kanë vazhduar të rriten gjatë vitit të fundit, duke ushtruar edhe më shumë presion mbi familjet dhe qytetarët që kërkojnë banim. Sipas të dhënave më të fundit nga platforma e pasurive të paluajtshme Homegate dhe Banka Kantonale e Cyrihut (ZKB), qiratë në nivel kombëtar janë rritur mesatarisht me 2.4 për qind krahasuar me një vit më parë.
Rritjen më të madhe e ka regjistruar kantoni Nidvaldo, ku qiratë janë shtrenjtuar me plot 10.1 për qind. Pas tij renditen Uri me 6.6 për qind, Zug me 6.2 për qind dhe Graubünden me 5.6 për qind rritje vjetore.
Edhe Cyrihu, një nga qytetet më të kërkuara për punë dhe studime, vazhdon të bëhet gjithnjë e më i kushtueshëm për banim, me një rritje prej 3.5 për qind. Ndërkohë, në Ticino rritja e qirave është në të njëjtin nivel me mesataren kombëtare, rreth 2.4 për qind.
Sipas autorëve të analizës, indeksi është përpiluar duke përdorur metodën hedonike, e cila merr parasysh faktorë si lokacioni, madhësia, cilësia dhe karakteristikat e apartamenteve. Kjo metodë synon të japë një pasqyrë më reale të ndryshimeve të tregut të banesave në Zvicër.

















