Protesta qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike në Tiranë vijoi edhe këtë të martë, duke shënuar ditën e 24-t radhazi të mobilizimit publik.
Gjatë tubimit, një nga pjesëmarrësit mori fjalën për të përcjellë një mesazh që u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit. Ai bëri të ditur se më 4 korrik pritet një pjesëmarrje e gjerë e shqiptarëve nga diaspora, të cilët do t’i bashkohen protestës në mbështetje të kërkesave të artikuluara nga qytetarët.
Sipas tij, organizatorët kanë marrë një numër të madh mesazhesh nga bashkatdhetarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të qenë fizikisht të pranishëm në protestën e ardhshme.
“Pas qëndresës së vazhdueshme dhe artikulimit të disa pikave politike kundër qeverisjes aktuale, kemi marrë shumë mesazhe nga diaspora. Më 4 korrik, shqiptarët nga jashtë pritet të jenë këtu për të mbështetur realizimin e këtyre kërkesave”, u shpreh ai para turmës.
Pjesëmarrja e diasporës në protesta nuk është një fenomen i ri. Edhe gjatë tubimit të zhvilluar më 20 qershor, një numër emigrantësh iu bashkua marshimit në kryeqytet, duke shprehur solidaritet me kauzat e ngritura nga protestuesit./kudoshqip.com
















