Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së hënës në Pejë, ku një grua ka vdekur pasi është goditur nga treni.
Lidhur me rastin, ka folur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë kompetente dhe prokurori i shtetit.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante dhe Prokurori i Shtetit. Aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet për identifikimin e viktimës”, deklaroi Nikçi.
Ndërkohë, si pasojë e aksidentit fatal, Trainkos ka njoftuar për anulimin e dy linjave hekurudhore në relacionin Pejë–Prishtinë dhe anasjelltas.
Autoritetet janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa priten informacione shtesë lidhur me rastin.
Rasti ka ndodhur rreth orës 05:32, kur treni që po qarkullonte nga Peja në drejtim të Fushë Kosovës ka goditur një person, e ku si pasojë e lëndimeve të marra, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Trainkos ka njoftuar se ka anuluar vajtjen dhe ardhjen e disa trenave në relacionin Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas për të hënën.
Trainkos thotë se arsyeja e anulimit janë “rrethanat e papritura”, shkruan Insajderi.
“Ju njoftojmë se treni i planifikuar për sot me numer 760 dhe 4201 Pejë – Prishtine dhe anasjelltas është anuluar për shkak të rrethanave të papritura. Ndërsa treni 4200 do të vazhdoj sipas orarit të planifikuar”, thuhet në njoftim.
![[foto 2]](https://kudoshqip.com/wp-content/uploads/2026/08/file_646.jpg)

















