Të paktën 26 persona kanë humbur jetën në ujëra të ndryshme në Gjermani gjatë fundjavës së kaluar, e cila u karakterizua nga temperatura shumë të larta. Lajmi është bërë i ditur nga Shoqata Gjermane e Shpëtimit në Ujë (DLRG).
Sipas kësaj organizate, viktimat janë të gjithë burra dhe djem, duke reflektuar një prirje shqetësuese të mungesës së kujdesit në mesin e meshkujve gjatë aktiviteteve në ujë.
Ngjarjet tragjike kanë ndodhur në periudhën nga e premtja deri të dielën, ndërsa raportohet se edhe të enjten paraprake janë regjistruar të paktën shtatë aksidente të tjera me pasoja fatale në ujë.
DLRG bën të ditur gjithashtu se ka persona të zhdukur, identiteti i të cilëve është i njohur, por trupat e tyre ende nuk janë gjetur. Ata aktualisht konsiderohen të zhdukur.
Ndërkohë, tetë persona të tjerë janë shpëtuar dhe janë dërguar në spitale, pasi ndaj tyre janë kryer me sukses procedura të ringjalljes.
Autoritetet nuk kanë publikuar të dhëna mbi nacionalitetin e viktimave. Megjithatë, këto ngjarje shërbejnë si një paralajmërim i fortë për rrezikun që paraqesin ujërat, veçanërisht gjatë periudhave me temperatura të larta.
Ekspertët apelojnë për kujdes maksimal, duke këshilluar qytetarët të shmangin hyrjen në ujëra të panjohura dhe të respektojnë masat e sigurisë, në mënyrë që të parandalohet humbja e jetëve të tjera.kudoshqip.com

















