Me fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027, në Vjenë ka nisur edhe mësimi plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë që jetojnë në Austri.
Profesoresha e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Vjenë, Miradije Berisha, e ka cilësuar fillimin e vitit shkollor si një moment të veçantë për nxënësit dhe familjet shqiptare.
Përmes një mesazhi kushtuar nxënësve, Berisha thekson rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe tek brezi i ri shqiptar në diasporë.
Sipas saj, mësimi i gjuhës amtare nuk lidhet vetëm me aftësinë për të lexuar dhe shkruar shqip, por edhe me njohjen e prejardhjes, ruajtjen e kujtesës familjare dhe forcimin e lidhjes ndërmjet brezave.
“Gjuha shqipe është ura që lidh brezat. Është kujtesa jonë. Është identiteti ynë. Është drita që ia dorëzojmë brezit të ardhshëm”, shprehet Berisha në mesazhin e saj.
Ajo u ka uruar nxënësve një vit të mbarë shkollor, të pasur me dije, miqësi, suksese dhe buzëqeshje, duke i ftuar ata të vazhdojnë të mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe edhe në vendin ku jetojnë.
Mësimi plotësues në gjuhën shqipe në diasporë luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e lidhjes së fëmijëve shqiptarë me gjuhën dhe trashëgiminë e tyre kulturore.
Me nisjen e vitit shkollor 2026/2027, mesazhi i profesoreshës Miradije Berisha është i qartë: gjuha amtare është një pasuri që duhet ruajtur dhe përcjellë te brezat e rinj./albinfo.ch

















