Në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK) ka nisur gara dy-ditore “Hack the Drone”, një sfidë inovative që mbledh së bashku studentë, profesionistë të rinj dhe inxhinierë të ardhshëm për të vënë në provë aftësitë e tyre në fushën e teknologjisë së dronëve.

Gjatë 48 orëve intensive, ekipet pjesëmarrëse do të angazhohen në dizajnimin, ndërtimin, konfigurimin dhe pilotimin e sistemeve të mikro-dronëve FPV (First Person View), duke operuar nën kufizime teknike dhe standarde sigurie që reflektojnë kushtet e botës reale.
Konkurrentët do të përballen me pesë sfida rigoroze, të cilat synojnë të testojnë njohuritë e tyre teknike, aftësitë praktike në harduer, si dhe kapacitetin për zgjidhje strategjike dhe punë ekipore.

“Hack the Drone” organizohet me mbështetjen e projektit “Shkathtësi për Punësim të Qëndrueshëm në Kosovë”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i zbatuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në bashkëpunim me LuxDev – Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Përmes kësaj gare, synohet të nxitet inovacioni, zhvillimi i shkathtësive teknologjike dhe përgatitja e gjeneratave të reja për sfidat e industrisë moderne të teknologjisë dhe inxhinierisë.\kudoshqip.com


















