Me pikëllim të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, një prej mbështetësve më të zëshëm të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për më shumë se tri dekada, Engel ishte një zë i fuqishëm në Kongresin amerikan në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, duke luajtur rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në proceset që çuan drejt lirisë dhe pavarësisë së saj. Ai gjithashtu mbështeti fuqishëm konsolidimin demokratik të Shqipërisë dhe integrimin e saj në NATO.
Angazhimi i tij për shqiptarët daton që nga fundi i viteve ’80, kur ai u njoh nga afër me realitetin e vështirë në Kosovë dhe vendosi ta bëjë atë pjesë të agjendës së tij politike. Gjatë gjithë karrierës, Engel mbeti një aleat i qëndrueshëm dhe një zë i besueshëm për shqiptarët në Washington.
Figura e tij do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë, si një politikan që qëndroi pranë shqiptarëve në momentet kyçe të historisë së tyre moderne.
Eliot Engel do të mbetet në kujtesën kolektive si një mik i madh i shqiptarëve dhe një mbështetës i palëkundur i lirisë dhe demokracisë./kudoshqip.com

















