Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Kosovës, kanë hapur thirrjen për pjesëmarrje në Seminarin XIX të mësuesve të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Ky seminar do të mbahet në Kosovë nga 28 deri më 31 korrik 2026 dhe synon të forcojë mësimin e gjuhës shqipe, si dhe ruajtjen e identitetit kombëtar te fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë trojeve shqiptare.
Tema kryesore e seminarit këtë vit do të jetë:
“Motivimi i nxënësve në diasporë për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar”.
Organizatorët kanë bërë të ditur se mësuesit e interesuar mund të aplikojnë online, si për pjesëmarrje ashtu edhe për prezantim të punimeve dhe përvojave të tyre në punëtori të ndryshme profesionale.
Afatet kryesore të aplikimit janë:
- Aplikimi për pjesëmarrje dhe dorëzimi i abstrakteve: 25 maj – 9 qershor 2026
- Njoftimi për pranimin e pjesëmarrësve dhe abstrakteve: 12 – 15 qershor 2026
- Dorëzimi i prezantimeve të plota: deri më 15 korrik 2026
Seminari pritet të mbledhë dhjetëra mësues shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, duke krijuar hapësirë për shkëmbim përvojash, ide dhe metodash moderne për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë.
Më shumë informacione dhe formularët e aplikimit mund të gjenden në faqen zyrtare: QBD Albania

















