Berlin/Magdeburg – Pas rezultatit të fortë të AfD-së në zgjedhjet e fundit në landin e Saksonisë-Anhalt, brenda Unionit CDU/CSU ka nisur një debat i ri mbi të ashtuquajturën “Brandmauer” – barriera politike ndaj bashkëpunimit me AfD-në.
Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel është distancuar në mënyrë të befasishme nga vetë termi “Brandmauer”, i përdorur prej vitesh nga partitë tradicionale për të përshkruar refuzimin e bashkëpunimit politik me AfD-në, parti që në pjesë të saj konsiderohet ekstremiste e djathtë.
“Unë nuk e kam shpikur këtë term dhe as nuk më pëlqen veçanërisht”, deklaroi Merkel në Këln. Sipas saj, një qasje e tillë nuk është mënyra më e mirë për të bindur votuesit.
Merkel u bëri thirrje partive demokratike që të largohen nga përqendrimi i vazhdueshëm te AfD-ja dhe të fokusohen më shumë te programet dhe zgjidhjet e tyre politike.
Ajo nuk bëri thirrje për bashkëpunim me AfD-në, por kërkoi një mënyrë tjetër të zhvillimit të debatit politik. Rezultatin e lartë të AfD-së në Saksoninë-Anhalt, Merkel e cilësoi si “thjesht tronditës”, duke shtuar se si anëtare e CDU-së “i rrjedh gjak nga zemra”.
Söder: “Brandmauer” ka dështuar
Edhe kreu i CSU-së, Markus Söder, e konsideron konceptin e “Brandmauer”-it si të dështuar.
“Në futboll do të thoshim: atëherë duhet të hysh më shumë në duele”, deklaroi Söder në televizionin publik ARD, duke iu referuar fitores së AfD-së në zgjedhjet e së dielës.
Sipas tij, AfD-ja kritikon gjithçka dhe tani duhet parë nëse është në gjendje të ofrojë zgjidhje më të mira.
Söder parashikoi gjithashtu se mundësia që lideri i AfD-së në Saksoninë-Anhalt, Ulrich Siegmund, të bëhet kryeministër i landit është “jashtëzakonisht e lartë”. Ai beson se BSW mund t’i sigurojë Siegmundit mbështetjen e nevojshme për të marrë postin.
Megjithatë, kreu i CSU-së theksoi se AfD-ja nuk është një parti “normale” dhe se një pjesë e ideologjisë së saj është, sipas tij, çnjerëzore.
Në të njëjtën kohë, Söder nënvizoi se rezultati zgjedhor duhet respektuar: “Pasi është zgjedhur, duhet të respektojmë një rezultat demokratik”, tha ai, duke shtuar se ky respekt shoqërohet me një qëndrim të qartë dhe të ashpër për kontrollin e qeverisjes.
CDU në Saksoninë-Anhalt përballet me përçarje
Ndërkohë, CDU-ja në Saksoninë-Anhalt po përjeton një periudhë të vështirë pas humbjes së thellë në zgjedhje. Partia, e cila deri tani ka drejtuar landin, mori vetëm 17,2 për qind të votave.
Ish-kandidati kryesor dhe kryeministri në largim, Sven Schulze, fitoi një betejë të parë për pushtetin brenda partisë, por me një diferencë tepër të ngushtë. Ai u zgjodh kryetar i grupit parlamentar të CDU-së, duke mposhtur kryetarin në detyrë Guido Heuer me rezultat 8 vota kundër 7.
Rezultati ka nxjerrë në pah përçarjet e thella brenda partisë.
Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të CDU-së në Bundestag, Sepp Müller, një kritik i fortë i Schulze-s dhe kandidat për të marrë drejtimin e CDU-së në land, e cilësoi fitoren e tij si një “sinjal fatal”.
“CDU-ja e landit është në rrënoja”, deklaroi Müller.
Përplasjet e brendshme kanë shtuar gjithashtu frikën se disa deputetë të CDU-së mund të tentojnë të zbusin qëndrimin e deritanishëm të partisë dhe të hapin rrugën për një bashkëpunim të mundshëm me AfD-në.
Kështu, rezultati zgjedhor në Saksoninë-Anhalt nuk ka shkaktuar vetëm një tronditje në politikën gjermane, por ka rihapur edhe debatin brenda CDU/CSU-së mbi mënyrën se si duhet përballuar rritja e AfD-së dhe nëse strategjia e deritanishme e izolimit politik është ende e qëndrueshme./berlinermorgenpost.de

















