Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në hapësirat e jashtme të Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin janë vendosur etiketa fyese dhe me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe, mbi pllakën identifikuese të objektit.
Sipas komunikatës për media, mbishkrimet përmbanin slogane nacionaliste dhe mesazhe nxitëse, përfshirë fraza si “Nuk ka dorëzim” dhe “Kosova është Serbi”, si dhe thirrje të tjera me karakter propagandistik dhe përçarës.
Menjëherë pas evidentimit të rastit, Ambasada ka njoftuar autoritetet gjermane. Policia në Berlin është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse, duke përfshirë hetimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave përgjegjës.
MPJD ka dënuar ashpër çdo akt vandalizmi dhe gjuhë urrejtjeje, duke theksuar se veprime të tilla cenojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike, të garantuar nga normat dhe konventat ndërkombëtare, si dhe dëmtojnë frymën e respektit dhe bashkëjetesës ndërmjet shteteve.
Në përfundim, theksohet se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj promovimit të paqes, dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke vijuar ushtrimin e misionit të saj diplomatik në përputhje me standardet dhe parimet ndërkombëtare.



















