Maroku nuk po ndërton thjesht një stadium për Kupën e Botës 2030. Ai po investon në një projekt gjigant që synon të transformojë infrastrukturën, transportin dhe pozicionimin ndërkombëtar të vendit për dekadat e ardhshme.
Në zemër të kësaj strategjie ndodhet Grand Stade Hassan II, një impiant sportiv monumental që po ndërtohet në provincën Benslimane, rreth 38 kilometra në verilindje të Kazablankës. Me një kapacitet prej rreth 115,000 spektatorësh, stadiumi pritet të bëhet stadiumi më i madh i futbollit në botë pas përfundimit të tij. Aktualisht, projekti ka arritur rreth 30% të realizimit, ndërsa autoritetet marokene synojnë ta përfundojnë ndërtimin deri në fund të vitit 2027, në kohë për përgatitjet për Kupën e Botës FIFA 2030, të cilën Maroku do ta organizojë së bashku me Spanjën dhe Portugalinë.
Një projekt me ambicie globale
Stadiumi do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 100 hektarësh dhe përfaqëson një investim prej afërsisht 5 miliardë dirhemësh marokenë, ose rreth 500 milionë dollarë amerikanë. Megjithatë, vlera totale e programit mund të jetë dukshëm më e lartë nëse përfshihen investimet shoqëruese në infrastrukturë. Projekti është konceptuar nga studioja ndërkombëtare e arkitekturës Populous, e njohur për projektimin e disa prej stadiumeve më ikonike në botë, në bashkëpunim me firmën Oualalou + Choi. Dizajni i stadiumit është frymëzuar nga çadra tradicionale marokene Moussem, një element i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të vendit. Ai do të karakterizohet nga një çati gjigante gjysmë transparente që do të mbulojë jo vetëm tribunat, por edhe hapësirat publike përreth.
Kontrata kryesore e ndërtimit i është dhënë një konsorciumi të përbërë nga kompanitë marokene TGCC dhe SGTM, me një vlerë të raportuar prej rreth 320 milionë dollarëshvetëm për fazën kryesore të punimeve. Punimet për përgatitjen e terrenit nisën në gusht të vitit 2024, ndërsa faza kryesore e ndërtimit filloi gjatë vitit 2025.
















