Shqip kudo që je! Rreth nesh Reklamo

Kurti takon kancelarin austriak Christian Stocker

Kurti takon kancelarin austriak Christian Stocker - Kurti takon kancelarin austriakChristianStocker
– min lexim Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Kancelarin Federal të Austrisë, Christian Stocker, ku në fokus të diskutimeve ishin prioritetet e Qeverisë së Kosovës në mandatin e ri, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimi i procesit të integrimit evropian.

Gjatë takimit në Shën Stefan, në bregdetin e Adriatikut, Kurti dhe Stocker diskutuan për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, me theks të veçantë në sektorët e energjisë, hekurudhave dhe teknologjisë digjitale.

Sipas Kurtit, në këta sektorë po rritet gjithnjë e më shumë interesi për investime nga kompanitë austriake dhe diaspora kosovare, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe thellim të partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri rikujtoi gjithashtu se, gjatë takimit të mëparshëm me kancelarin austriak, ishin diskutuar dy çështje konkrete me rëndësi për Kosovën: integrimi në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe përfshirja në zonën e roamingut të Bashkimit Evropian.

Kurti bëri të ditur se Kosova ka përmbushur edhe kushtin e fundit lidhur me harmonizimin e legjislacionit të nevojshëm për SEPA-n, ndërsa për përfshirjen në zonën e roamingut të BE-së pret që negociatat të nisin së shpejti.

Kurti: Kosova është e gatshme për avancim në rrugën evropiane

Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës dhe të rajonit, Kurti mbështeti qëndrimin e kancelarit Christian Stocker se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi rëndësinë që të gjithë kandidatët për anëtarësim në BE të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe sipas kritereve të njëjta.

Sipas Kurtit, Republika e Kosovës është e gatshme të avancojë në procesin e integrimit evropian, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim, në bazë të meritave dhe përmbushjes së kritereve përkatëse.

Takimi vlerësohet si një mundësi për të thelluar bashkëpunimin politik dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, si dhe për të riafirmuar mbështetjen për perspektivën evropiane të Kosovës dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

– min lexim Shpërndaje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shërbime për diasporën

Mjete praktike, falas