Shqip kudo që je! Rreth nesh Reklamo

Kurti takohet me kancelarin gjerman Friedrich Merz

Kurti takohet me kancelarin gjerman Friedrich Merz - Kurti takohet kancelaringjermanFriedrichMerz
– min lexim Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kancelarin gjerman Friedrich Merz në kuadër të Samitit të XIII-të të Procesit të Berlinit, ku në fokus të bisedës kanë qenë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, integrimi evropian dhe mundësitë për rritjen e investimeve gjermane në Kosovë.

Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se nga kancelari Merz ka pranuar urime për mandatin e ri qeverisës. Takimi u zhvillua në një moment kur Bundestagu gjerman ka marrë vendim për vazhdimin e qëndrimit të ushtarëve gjermanë në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Kurti rikujtoi gjithashtu rëndësinë e Procesit të Berlinit, të iniciuar nga Gjermania në vitin 2014, si një platformë që synon bashkëpunimin dhe trajtimin e barabartë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, Kosova ka zbatuar marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi për lëvizjen me letërnjoftime dhe njohjen e diplomave, duke theksuar se edhe vendet e tjera të rajonit duhet të përmbushin zotimet e tyre.

Investimet gjermane në Kosovë arrijnë rreth 1,5 miliardë euro

Një pjesë e rëndësishme e bisedës lidhej edhe me bashkëpunimin ekonomik. Sipas Kurtit, investimet e drejtpërdrejta gjermane në Kosovë arrijnë në rreth 1,5 miliardë euro, ndërsa 62 për qind e tyre janë realizuar gjatë pesë viteve të fundit.

Ai theksoi se potenciali për bashkëpunim të mëtejshëm mbetet i madh, veçanërisht në industri, energji, transport, teknologji të informacionit dhe komunikimit (TIK), si dhe në arsimin profesional.

Në këtë kontekst, Kurti njoftoi se Prishtina do të mirëpresë javën e ardhshme Forumin e tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet bizneseve dhe investitorëve të të dyja vendeve.

Në përfundim të mesazhit të tij, kryeministri Kurti e cilësoi Gjermaninë si pjesë të së ardhmes evropiane të Kosovës, duke falënderuar kancelarin Friedrich Merz për takimin./kudoshqip

– min lexim Shpërndaje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shërbime për diasporën

Mjete praktike, falas